Nga terapia gjenetike e personalizuar tek ilaçet që synojnë të parandalojnë kancerin e pankreasit, risitë shkencore të 2025-s na japin besim për të ardhmen e shëndetit publik. Pavarësisht sfidave buxhetore, arritjet e këtij viti, kanë ripërcaktuar kuptimin dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor. Ja cilat janë 9 zbulimet kryesore të vitit që po mbyllet:
1. Një revolucion (jo-hormonal) në trajtimin e menopauzës
Simptomat e rënda të menopauzës, e pengojnë jetën e përditshme të shumë grave. Terapia hormonale, megjithëse efektive, nuk është opsion për të gjitha ato. Ky vit solli një alternativë të re jo-hormonale: Lynkuet (elinzanetant), e miratuar nga FDA-ja amerikane.
Së bashku me Veozah (fezolinetant), i miratuar më parë po nga FDA në SHBA, këto ilaçe synojnë neuronet në hipotalamus që rregullojnë temperaturën, duke ofruar lehtësim për gratë që më parë nuk kishin mundësi zgjedhje.
2. Një ilaç (pa gjilpërë) për alergjitë e fëmijëve
Për fëmijët me alergji të rënda ushqimore, epinefrina është shpëtimtare. Këtë vit u prezantua Neffy, një spraj i hundës me bazë epinefrinën. Ky është përmirësimi i parë i madh në administrimin e saj tek fëmijët në dekadat fundit.
I lehtë për t’u përdorur, ai përthithet shpejt nga mukozat e hundës dhe parashikohet të rrisë ndjeshëm përdorimin e duhur gjatë urgjencave alergjike tek fëmijët 4 vjeç e lart.
3. Përparime të mëdha në mjekësinë rigjeneruese
Ëndrra për rigjenerimin e indit po i afrohet realitetit. Studimet mbi salamandrat, zbuluan këtë vit një enzimë dhe një gjen kyç që rregullojnë rigjenerimin. Duke qenë se njerëzit kanë mekanizma të ngjashëm, kjo ofron një model të ri për të punuar drejt rigjenerimit të gjymtyrëve.
Përparime të tjera, përfshijnë zhvillimin e fashës së parë të implantueshme për forcuar murin e zemrës te majmunët, duke përdorur qelizat staminale. Gjithashtu, për herë të parë shkencëtarët arritën të krijojnë një ind funksional ureteral nga qeliza staminale, një hap i rëndësishëm drejt rigjenerimit të sistemit renal.
4. Një kontroll më i mirë për infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST)
Shumë njerëz kanë IST pa e ditur, duke rritur rrezikun e komplikacioneve dhe përhapjes. Viti 2025 solli dy zgjidhje për një analizë më të lehtë në kushtet e shtëpisë. Teal Ëand, i lejon gratë të marrin vetë një mostër vaginale për testimin e HPV-së pas një konsultimi virtual me mjekun.
Ndërkohë Visby Test, është një test i shpejtë në shtëpi pa recetë që gjurmon brenda 30 minutash sëmundjet e gonoresë, klamidias dhe trikomoniazës. Këto mjete synojnë të rrisin shkallën e diagnostikimit të shpejtë së sëmundjeve të tilla.
5. Programe të personalizuara të terapisë gjenike
Teknologjia CRISPR-Cas9 hodhi këtë vit një hap të paimagjinueshëm. Mjekët në Filadelfia, SHBA, e përdorën atë për të krijuar një terapi gjenike të personalizuar për një të porsalindur me një sëmundje metabolike jashtëzakonisht të rrallë dhe vdekjeprurëse.
Duke identifikuar mutacionin e saktë, ata dërguan instruksione gjenetike korrigjuese drejt mëlçisë së foshnjës përmes përdorimit të nanopjesëzave. Rezultatet fillestare janë shumë premtuese, duke i hapur rrugën shërimit “hap pa hapi” të sëmundjeve të rralla.
6. Parandalimi i thjeshtë dhe efektiv i HIV-it
Pavarësisht efektivitetit të lartë, përdorimi i barnave parandaluese (PrEP) kundër HIV mbetet i ulët për shkak të stigmës sociale dhe kompleksitetit. Këtë vit, FDA miratoi Yeztugo (lenacapavir), një ilaç PrEP i injektueshëm vetëm dy herë në vit. Studimet tregojnë se arrin ta parandalojë pothuajse plotësisht transmetimin. Kjo zgjedhje e thjeshtë pritet të rrisë ndjeshëm mbrojtjen, veçanërisht tek grupet me rrezik të lartë.
7. Zgjerimi i përdorimit të vaksinave
Kërkimet e këtij viti, zbuluan se vaksinat ofrojnë përfitime të papritura përtej sëmundjeve specifike. Një analizë tregoi se vaksina kundër herpesit, e zvogëlon rrezikun e goditjes në tru me 16 për qind dhe atakut në zemër me 18 për qind.
E njëjta vaksinë lidhet edhe me uljen e rrezikut të demencës.
Gjithashtu, pacientët me kancer në mushkëri ose lëkurë që morën vaksinën mRNA kundër Covid-19 afër fillimit të imunoterapisë, reaguan më mirë ndaj trajtimit dhe jetuan më gjatë. Këto efekte “bonus”, lidhen ndoshta me forcimin e përgjithshëm të sistemit imunitar.
8. Parandalimi i kancerit të pankreasit
Ky kancer diagnostikohet shpesh shumë vonë, me shanse të ulëta mbijetese. Hulumtimet e 2025-s treguan një rrugë të re: bllokimi i proteinës FGFR2 në faza shumë të hershme, mund të parandalojë që qelizat e prekura të bëhen kancerogjene. Meqë ilaçe kundër kësaj proteine ekzistojnë tashmë, shkencëtarët shpresojnë që ato të testohen tek njerëzit me rrezikshmëri më të lartë ndaj kësaj sëmundjeje, duke hapur mundësinë e interceptimit të kancerit para se ai të zhvillohet.
9. Krijimi i një atlasi të trupit të njeriut
Projekti i “UK Biobank”, regjistroi këtë vit një arritje të jashtëzakonshme: mbi 1 miliard imazhe të detajuara (MRI, ultratinguj) të organeve të 100.000 vullnetarëve, së bashku me të dhëna gjaku, gjenetike dhe të stilit të jetesës.
Ky atlas i paprecedentë po e informon tashmë shkencën: p.sh, analiza tregon se shenjat e sëmundjes në zemër, shoqërohen shpesh me ndryshime në tru, duke theksuar lidhjen midis shëndetit kardiovaskular dhe shëndetit të trurit. Të dhënat do të përditësohen për dekada për të kuptuar më mirë sëmundjet dhe parandalimin e tyre./Pamfleti
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.