Kryeministri Edi Rama nga spitali ‘Infektiv’ kur pati një takim me mjekë dhe infermierë, pretmtoi rritje pagash për ta, por foli edhe për rihapjen e shkollave si dhe mundësinë e një izolimi të dytë. Duhet të mësohemi të jetojmë me virusin, – tha Rama, “sido që të jenë rastet”, ndërsa shtoi se mbyllja nuk shihet si opsion i mundshëm.
Sakaq ai ka folur dhe për hapjen e shkollave më 14 shtator. Rama tha se edhe djali i tij Zaho fillon klasën e parë. Rama tha se kjo periudhë do të ketë shumë vështirësi për Zahon, si dhe për të gjithë fëmijët. Kreu i qeverisë shtoi se të gjithë kemi sfidë të madhe atë të hapjes së shkollave, edhe pse fëmijët nuk janë të imunizuar por janë më pak të rrezikuar, por duhet të mësohen me rregulla të tjera.
Ata do të përballen sipas Ramës, me një situatë të pazakontë dhe me rregulla ndryshe nga çfarë orientohen në kushte të zakonshme. “Fatkeqësisht na gjeti kjo lụftë në një fazë ku disa përmirësime do ishin bërë. Imagjino të na ndodhte kjo disa vite më parë kur kjo strukturë këtu ishte”, u shpreh Rama.
“Ju e dini vetë. Ku skishte aparatura dhe kushte. Kemi një sfidë të madhe publike sepse siç e keni thënë ju dhe të gjithë specialistët e shëndetit publik, kjo nuk është një betejë që zhvillohet thjesht në spital por edhe në përditshmëri për të zbatuar ato rregulla të thjeshta”.
Kryeministri shtoi se tani duhet të mësohemi me virusin, pasi nuk mund të ketë një mbyllje të dytë.
“Virusi është këtu bashkë me ne gjatë gjithë kohës për një peridhë që askush se di sa do zgjasi. Tani duhet të mësohemi të jetojmë me këtë dinamikë të re. Izolimi dhe mbyllja s’mund të jetë si opsion i mundshëm sepse sjell dëme të tjera që kanë një kosto të madhe sociale, psikologjike”. u shpreh kreu i qeverisë. /NOA.al