Policia e Shkodrës ka arrestuar 8 persona dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë pas një operacioni të kryer në një prej Call Center-ave në qytet. Burime zyrtarë bëjnë me dije se arrestimet janë kryer pas denoncimeve nga shtetas të huaj se ishin mashtruar përmes platformave të ndryshe online nga ky Call Center.
Personat e bënë ne pranga janë kryesisht vajza, si menaxhere dhe punonjëse të këtij Call Centeri që mashtronte qytetarët e shteteve të Bashkimit Europian duke iu premtuar se do të investonin në Forexl Kriptomonedha apo në gjoja bursa.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur tre persona, njëri prej tyre,27 vjeç me shtetësi polake si edhe bashkëjetuesja e tij. Polaku ishte edhe organizatori i grupit, i cili sipas policisë kishte siguruar infrastrukturën për kryerjen e mashtrimeve me vlera të mëdha.
“Në vijim të punës gjurmuese dhe hetimeve të kryera për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike, nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” për Hetimin e Krimit Kibernetik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u finalizua me sukses operacioni policor “North Forex”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. K., 22 vjeçe, O. Sh., 20 vjeçe, A. B., 30 vjeçe, S. A., 21 vjeçe, S. A., 24 vjeçe, E. O., 29 vjeç, N. T., 26 vjeç dhe Y. D., 27 vjeçe”, njofton policia.
Kjo skemë mashtrimi sipas policisë ushtrohej në lokacione të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë.
“Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi P. W., me qëllim shmangien e hetimit pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, kishte bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe kishte vijuar ta ushtronte aktivitetin në fjalë në mënyrë të fshehtë”, bën me dije policia.