Që prej identifikimit të rasteve të para me koronavirus, Ministria e Shëndetësisë në kuadër të marrjes së masave nuk ka lejuar prezencën e gazetarëve në konferencat e shtypit, por u është përgjigjur të gjitha pyetjeve përmes rrugëve të tjera të komunikimit. Gazetarët kanë dërguar pyetjet në grupet e Whatsapp dhe kanë marrë përgjigje.
Shumë pyetje kanë qenë për analizat serologjike, por edhe përdorimin e medikamenteve për trajtimin e të sëmurëve. Albana Fico, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik tha se në vend ka nisur analiza serologjike. Ndërsa sa i përket mënyrës që po përdor Italia, pra shërimin e pacientëve me COVID me terapinë plazmatike me antitrupa të personave të shëruar, ajo theksoi se në Shqipëri do të duhet shumë kohë që kjo të funksionojë.
“Kjo është një nga ato gjëra që ne jemi shprehur shpesh, duke konstatuar faktin që komuniteti mjekësor është në dilema të jashtëzakonshme. Përdorimi i çdo lloj metode ose gjetje janë në faza eksperimentale. Do dojë kohë që gjithë këto njohuri ose eksperiencat e përfituara të vendosen në platforma të aplikueshme” – tha Fico.
Gjatë 24 orëve të fundit është rritur sërish kurba e të infektuarve. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije ditën e sotme se janë konfirmuar edhe 17 raste të reja me COVID-19. Harta është zgjeruar me 9 raste në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe 3 raste në Kamëz. 70% e infektuarve janë shëruar dhe aktualisht aktivë me COVID-19 janë 219 persona./gazetashqip/