Në fshatin Papër-Sollak në Elbasan s’ka urë, fëmijët kalojnë në mes të ujit: Na rrezikohet jeta çdo ditë

Në Papër-Sollak të Elbasanit, banorët dhe fëmijët e kësaj zone përballen çdo ditë me vështirësitë e mungesës së infrastrukturës. Në këtë fshat, përpos mungesës së infrastrukturës rrugore, janë mbi 40 familje që rrezikojnë jetën për të kaluar një përrua, i cili lidh rrugën kryesore midis dy fshatrave përreth.

Fëmijët sapo kanë mbaruar shkollën dhe po kthehen në shtëpitë e tye!

Në fshatin Papër-Sollak pamjet të bëjnë të mendosh se vijnë nga e shkuara. Të vegjlit heqin këpucë e çorape çdo ditë kur shkojnë në shkollë!

Ata shprehen se e kanë shumë të vështirë të kalojnë këtë përrua pa një urë!

“Ne e bëjmë çdo ditë këtë, nuk kemi mundësi tjetër se me çfarë ta kalojmë ujin. Detyrohet mami çdo ditë që të kalojë përroin me ne ngaqë nuk kemi një urë. Normal që kam frikë të kaloj vetëm, sepse ndonjëherë vjen shumë ujë nga përroi dhe ajo është shumë e frikshme, por s’kemi çfarë të bëjmë”, shprehet një vogëlush i zonës.

“Kam shumë frikë se mos rrëzohem dhe çdo ditë më sjell babi”, thotë një tjetër fëmijë aty.

“Kur ka shumë ujë përroi ne na bie që të mos shkojmë dot në shkollë dhe ta humbasim mësimin”, shprehet një vogëlushe.

Më të rriturit shprehen se jeta e tyre dhe e fëmijëve është në rrezik!

“Është aq e vështirë sa nuk llogaritet, për të mos thënë si në mesjetë. Sepse ne si prindër vijmë këtu dhe kalojmë fëmijët çdo ditë për të shkuar në shkollë ata”, shprehet një prind.

“Larg qoftë një vdekje, apo një lindje, kemi pleq dhe mbi të gjitha jemi njerëz, kam një kushëri këtu afër që na ndihmon për të kaluar në ndonjë rast rreziku kur përroi fryhet deri lart në rrugë, sepse nuk ke ku të kalosh se të mbyt ky ujë”.  

Erald Gjeli nga njësia administrative e Papërit thotë se është në dijeni të problematikës, dhe se investimi do të nis pas disa muajsh!

“Jemi të sigurt që fëmijët e asaj shkolle këtë dimër që vjen nuk do e kalojnë më në atë gjendje, sepse realisht është gjendje shumë e keqe për ata fëmijë”, premton Erald Gjeli. Derisa një urë të bëhet banorët shpresojnë se fëmijët e tyre të jenë të sigurtë!

Ora news