Ndryshon procedura për aplikimin për pasaporta. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka bërë të ditur këtë të mërkurë se duke nisur nga data 1 tetor, aplikimi për pasaportë mund të bëhet me procedurë të thjeshtuar pa pasur nevojë për formularin që plotësohej pranë rajonit përkatës të policisë.
Lleshaj ka sqaruar se qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave të aplikimit, por vetëm pasi kanë prenotuar online orarin, në mënyrë që të shmanget radhët në sportele.
Pjesë nga deklarata e Sandër Lleshajt:
Viti 2020 ka qenë një vit i rëndësishëm sa i përket shtimit të gamës së shërbimeve për qytetarët, të cilat janë spostuar kryesisht në fushën e shërbimeve dixhitale. Dhe kjo ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë barrën e qytetarëve, të cilët janë detyruar prej vitesh të harxhojnë orë të tëra pranë sporteleve ndërkohë që kjo kohë tani u mbetet në dispozicion atyre.
Në këtë kuadër Ministria e Brendshme ka ofruar një numër të madh shërbimesh online dhe sot jemi këtu për të prezantuar një tjetër risi, një tjetër lehtësim të barrës për qytetarët që ka të bëjë me aplikimin për pasaporta udhëtimi.
Në ndryshim nga praktika e deritanishme, tashmë për ri-aplikimin janë hequr detyrimet për t’u paraqitur pranë policisë, për të bërë aplikim dhe për të plotësuar formularë pranë Policisë së Shtetit.
Duke filluar nga nesër, qytetarët që duhet të ri-aplikojnë për pasaportë, u mjafton vetëm të paraqiten pranë sportelit përkatës të aplikimeve, pas përcaktimit të orarit të aplikimit që bëhet online.