Ndodh mrekullia! Vogëlushja e zhdukur gjendet pas 18 ditësh, publikohen momentet e shpëtimit (Fotot)

Një vajzë 4-vjeçare e zhdukur prej 18 ditësh në një pjesë të largët të Australisë Perëndimore është gjetur e gjallë në një shtëpi të mbyllur. Cleo Smith u zhduk nga tenda e familjes së saj në një kamping pranë qytetit të Carnarvon më 16 tetor.

Një 36-vjeçar ndodhet në paraburgim dhe po merret në pyetje nga detektivët. Policia arriti të binte në gjurmët e vajzës dhe shkoi një shtëpi në Carnarvon në orët e para të së mërkurës.

“Ata gjetën Cleo-n e vogël në një nga dhomat,” tha në një deklaratë Zëvendës Komisioneri Kol Blanch nga Policia e WA .

“Një nga oficerët e mori në krahë dhe e pyeti: “Si quhesh?” Ajo tha ‘Emri im është Cleo’.

Vajza është ribashkuar me prindërit e saj, të cilët kishin bërë lutje të dëshpëruara për kthimin e Cleos.

“Familja jonë është sërish e plotë”, ka shkruar në Instagram nëna e saj, Ellie Smith.

Pamjet gjatë shpëtimit të vajzës janë bërë publike, ndërsa ajo duket e qetë dhe e buzëqeshur. Autoritetet thonë se njeriu në paraburgim nuk ka asnjë lidhje me familjen Smith dhe s’ka asnjë akuzë ndaj tij.

Shtëpia ku u gjet Cleo është rreth gjashtë minuta me makinë nga shtëpia e saj familjare në Carnarvon, e cila ka rreth 5,000 banorë. Kryeministri australian Scott Morrison shkroi në Twitter se ishte “lajm i mrekullueshëm, lehtësues”.

“Të gjesh një vajzë të vogël – një vajzë të vogël të pambrojtur – pas 18 ditësh. E dini, padyshim që njerëzit mendojnë më të keqen, por më e rëndësishmja, shpresa nuk humbi kurrë,” shtoi komisioneri.

Çfarë dihet deri tani?

Familja e Cleos ishte në natën e parë të pushimeve të tyre në kampingun Quobba Blowholes kur ajo u zhduk midis orës 01:30 dhe 06:00 më 16 tetor.

Vendi i largët në Macleod është rreth 900 km (560 milje) në veri të Perthit dhe është një atraksion në Bregun Koral të shtetit, i njohur për peizazhin e tij të oqeanit, shpellat detare dhe lagunat.

Cleo kishte fjetur në një dyshek me ajër pranë krevatit të motrës së saj më të vogël. Kur nëna e saj, që kishte fjetur në dhomën e dytë të çadrës, u ngrit në mëngjes, Kleo ishte zhdukur dhe dera e tendës ishte e hapur.

Policia tha se kjo ngjalli frikën e një rrëmbimi. Zonja Smith ishte e bindur se Cleo nuk mund të kishte ikur.

Një grup pune prej 100 oficerësh u dërguan nga kryeqyteti i shtetit, Perth, për t’iu bashkuar një kërkimi masiv ajror, tokësor dhe detar. Avionët e zbulimit u përdorën për të krehur zonat me popullsi të rrallë.

Autoritetet ofruan një shpërblim prej 1 milion dollarë Australianë (750,000 dollarë; 540,000 £) për informacion mbi vendndodhjen e Cleos.

Rasti tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe kishte raporte se rrëmbyesit kishin udhëtuar në rajon pasi ishte ofruar shpërblimi në para.

Zëvendës komisioneri Blanch tha se ata po kërkonin “gjilpërën në kashtë”.

“Në fund të natës së kaluar ata gjetën atë ‘gjilpërë’ që i çoi në atë adresë dhe e shpëtuan Cleo,” i tha ai Netëork Seven.

Policia tha se kishte të dhëna për një makinë, por nuk dha detaje.

Mediat e huaja thanë se një burrë që jetonte në shtëpi ishte parë së fundmi nga një fqinj duke blerë pelena.

“Ne nuk dinim se për kë… ai po i blinte,” citohet të ketë thënë fqinji.

Lajmi se Cleo është gjetur shkaktoi një ndjenjë lehtësimi të madh në komunitetin lokal.

“Për 18 ditë ne kemi qenë të mbushur me ankth dhe shqetësim,” tha presidenti i Carnarvon Shire, Eddie Smith për radion 2GB të Australisë.

Zëvendëskomisioneri Blanch i tha radios 6PR se ishte “e pabesueshme të shihje detektivë të kalitur duke qarë”.