Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Komuna e Parisit-rrugë e re Tiranë – Elbasan” (shtesa).
Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, sipas vendimit kompensohen në vlerë të plotë, për pasurinë e llojit “Truall”, me vlerë 3 626 125 (tre milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e pesë) lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 626 125 (tre milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e pesë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, zëri “Shpronësime”, miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”.
Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi t kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Autoriteti Rrugor Shqiptar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i përfundimit të punimeve duhet të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, fillon procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit (Autoritetit Rrugor Shqiptar).
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit (Autoritetit Rrugor Shqiptar) për pasuritë e shpronësuara.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.