Prej ditës së sotme, ka hyrë në fuqi ndalimi i përkohshëm i qarkullimit të monopatinave elektrike në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky vendim vjen si masë emergjente për shkak të shtimit të ndjeshëm të aksidenteve, ku të përfshirë kanë qenë përdorues të skuterëve elektrikë.
Deri tani, dhjetëra monopatina janë bllokuar dhe sekuestruar nga Policia në pika të ndryshme të vendit.
Një incident ka ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha”, pranë Zogut të Zi në Tiranë, ku një i ri vendosi të mos i bindet postobllokut të policisë. Pamjet e mbërritura në redaksi tregojnë momentin kur ai afrohet me monopatinë pranë efektivëve, por pa u ndalur, duke tentuar t’u shpëtojë kontrollit.
Policët i janë vënë në ndjekje menjëherë dhe i riu është kapur disa metra më tej. Sipas burimeve zyrtare, ndalimi i tij lidhet drejtpërdrejt me shkeljen e ligjit të ri që ndalon qarkullimin e skuterëve elektrikë në rrugët e vendit.
Policia e Shtetit njofton se çdo monopatinë që konstatohet në lëvizje do të bllokohet, deri në një urdhër të ri. Ministria e Brendshme paralajmëron gjithashtu se në ditët në vijim do të shpallen rregulla dhe standarde të reja për përdorimin e tyre, me qëllim rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.