Situata nga moti i keq mbetet problematike në Vlorë, Fier, Durrës, Lezhë. Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe rrezikon Novoselën dhe fshatin Ferras në Fier, në të cilat ka nisur evakuuimi i banorëve. Në Durrës, lumi Erzen ka dalë nga shtrati dhe toka e banesa janë të rrethuara nga uji.Urdhër evakuuimi edhe në Sukth dhe Katund të Ri. Një viktimë nga moti, 54-vjeçari në Durrës humb jetën pasi e mori rrjedha e motit. Në veri, reshjet e shiut i kanë lënë vendin borës, deri më tani pa problematika.
VLORË-FIER
Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e Urës së Mifolit dhe ka arritur në nivelin 8 metra mbi nivelin e detit. Në Novoselë, në fshatin Ferras dhe Bishan ka nisur evakuuimi i banorëve.
Policia largoi tregtarët nga Ura e Mifolit. Raportohet për 100 ha tokë bujqësore të përmbytur dhe 14 banesa nën ujë. Prurje të shumta ka pasur edhe në Memaliaj, ku niveli ka shkuar 7.5 metra. Në Vlorë, u ndalua edhe lundrimi i peshkarexhave.
Dalja e lumit Vjosa ka shkaktuar përmbytje të 200 ha tokë bujqësore në fshatin Ferras dhe 27 banesa janë nën ujë. Në Lushnjë dhe Divjake 280 hektarë toka janë në ujë pas daljes nga shtrati të lumit Seman.
DURRËS
Në Durrës u shënua viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar ka humbur jetën pasi e ka marrë rrjedha e kanalit në zonën e ish-repartit ushtarak. Trupi i pajetë u gjet nga polumbarët e Reneas. Lumi Erzen ka dalë nga fshati duke përmbytur dhjetëra hektarë toke dhe duke rrethuar banesat në Katund të Ri.Në këtë zonë, si edhe në Sukth ka nisur evakuuimi i banorëve.
Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatra të Krujës: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në Shijak ka prani uji në 15 banesa.
LEZHË
Rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë në Lezhë; është bërë evakuimi i dy familjeve; rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji. Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.
SHKODËR
Rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës; në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rugë të bllokuara dhe prezencë uji; në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.
Akset me prezencë bore
Akset rrugore në zonat malore në qarqet Shkodër, Korçë, Kukës, Gjirokastër, Dibër, si dhe Rruga e Arbërit, Rruga e Kombit dhe Llogaraja, kanë prezencë dëbore në rrugë. Në këto akse është i detyrueshëm përdorimi i gomave dimërore dhe i zinxhirëve, për të shmangur përfshirjen në ngjarje rrugore.
Qeveria me ministrinë e financave po hartojnë një paketë që do garantojë dëmshpërblimin për tokat bujqësore dhe banesat. Nesër do ketë mbledhje të Komitetit të Emergjencave Ndërqeveritar.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.