Momenti ideal, kalendari e çon Elbasanin në finale. Skuadra e Gvozdenoviçit duhet ta shfrytëzojë avantazhin

Elbasani po hyn në fazën vendimtare të sezonit në momentin ndoshta më të mirë të mundshëm. Verdheblutë kanë arritur të ndërtojnë një pozicion shumë të favorshëm në renditje dhe tashmë gjithçka mbetet e hapur për objektiva të mëdhenj në fundin e kampionatit.

Me vetëm dy pikë diferencë nga vendi i parë, gara për kreun është plotësisht e hapur. Në të njëjtën kohë, ekipi elbasanas ka krijuar një distancë prej 10 pikësh nga vendi i pestë, një diferencë që e bën shumë të fortë pozicionin e tyre brenda zonës së “Final 4”. Kjo do të thotë se skuadra jo vetëm që është në garë për titullin, por gjithashtu ka ndërtuar një bazë të sigurt për të qenë pjesë e fazës finale të kampionatit. Sikur të mos mjaftonte kjo, verdheblutë janë gjithashtu edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke mbajtur të hapura dy fronte të rëndësishme në këtë fund sezoni. Duke parë këtë situatë, vështirë se mund të imagjinohej një skenar më pozitiv për ekipin në këtë pikë të kampionatit.

KALENDARI SI ASIST Megjithatë, ajo që e bën edhe më intriguese fazën e mbetur të kampionatit është kalendari i nëntë ndeshjeve të fundit. Pikërisht në këtë periudhë bëhen llogaritë e mëdha dhe çdo detaj, sado i vogël në letër, mund të kthehet në një avantazh real në garën për objektivat. Në këtë aspekt, Elbasani duket se ka një plus të rëndësishëm. Ky avantazh lidhet drejtpërdrejt me faktin se përballjet më të forta të sezonit do t’i luajë në shtëpi. Më konkretisht, tre ekipet që aktualisht janë pjesë e zonës “Final 4”, Vllaznia, Egnatia dhe Partizani, do të vijnë për të luajtur në “Elbasan Arena”. Në një sezon ku diferencat mes skuadrave janë shumë të vogla dhe çdo pikë ka peshë të madhe, fakti që rivalët direkt do të përballen me Elbasanin në shtëpinë e tij mund të rezultojë vendimtar. Në teori, është një kalendar që vështirë se mund të ishte më i favorshëm për verdheblutë.

Mbështetja e tifozëve, njohja e fushës dhe presioni që zakonisht ndjejnë skuadrat kundërshtare në Elbasan mund të kthehen në elementë kyç në këto përballje direkte. Shfrytëzimi i avantazhit Megjithatë, në futboll teoria nuk përputhet gjithmonë me realitetin në fushë. Avantazhi i kalendarit është vetëm një mundësi; shndërrimi i tij në pikë është sfida e vërtetë. Tashmë mbetet për t’u parë se sa do të jetë në gjendje skuadra e Elbasanit ta shfrytëzojë faktorin fushë në ndeshjet me rivalët direkt të këtij sezoni. Nëse verdheblutë arrijnë të marrin maksimumin nga këto përballje, jo vetëm që do të konsolidojnë vendin në “Final 4”, por mund të hedhin edhe një hap të madh drejt objektivit më të madh të sezonit. Në fund, gjithçka do të vendoset në këto nëntë javë. Dhe për Elbasanin, rruga drejt finales së madhe duket më e hapur se kurrë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL