Mjekja shqiptare në spitalin italian rrëfen për “Uniformën e Vetëvrasjes”

Gazetarja Entela Resuli e gazetës DITA ka intervistuar doktoreshën Adelona Salaj, e cila është diplomuar për mjekësi në “La Sapienza” të Romës dhe ka kryer po aty specializimin në kirurgji të përgjithshme. Ajo jeton në Grosseto, Toskana dhe punon në repartin e kirurgjisë robotike onkologjike dhe të urgjencës.

Spitali është inauguruar 1 vit më parë, por Drejtoria shëndetësore zonale vendosi që kjo strukturë e re të bëhej qendër e të sëmurëve me CoVid-19 për të gjithë rajonin duke pasur në dispozicion 120 shtretër në Terapi Intensive.

Në një moment të intervistës Dr. Salaj flet për atë ajo e quan “uniforma e vetëvrasjes”.

Rrëfen mjekja:

“Situata nuk është aspak e thjeshtë,  për sa i përket ritmeve të punës dhe kushteve në të cilat po punojmë, por edhe për frikën që lexon nëpërmjet syve mbi maskën që ka në fytyrë kolegu përballë, apo sytë gjithë terror që pacienti ka ndërsa të shikon të futur në atë që unë e quaj “Uniforma e Vetëvrasjes. Duhet mësuar përmendësh radha me të cilën vishen e mbi të gjitha rradha si duhen hequr. Çdo gabim apo mos vëmendje paguhet vërtet rëndë”.

Dr. Salaj shton se pjesa emocionale e të sëmurit është pesha më e rëndë e kësaj situate.

“Nga momenti që tamponi del pozitiv ai person është tërësisht i izoluar nga kushdo që e rrethon. Drama psikologjike është një pjesë vërtet e rëndësishme edhe pse në këto kushte emergjence askush nuk po i kushton shumë vëmendje. Atë pjesë të dramës e jeton personeli shëndetësor që ka mundësi të hyje në kontakt me pacientin dhe që gjithmonë mundohet të mbajë shpresë dhe buzëqeshje te sytë. Është e vetmja pjesë e trupit që mund të shikohet poshtë Uniformes se Vetëvrasjes”.

Po pse e quan kirurgia kështu uniformën që duhet të veshë, ose më saktë uniformën e saj të përherhme të kirurges plus uniformën e posaçmw për mbrojtjen nga Covid.

Ajo tregon një rast të një pacienti situata klinike e të cilit ishte kritike.

“Fillova të vishja shtresat e Uniformës, çdo shtresë bëhej gjithnjë e më e bezdisur, dy maska, syzet dhe syzet mbrojtëse. Ndjeja rripin e maskës që më shtypte veshin, ndjeja djersën nga hunda dhe buza, syzet që me visheshin nga afshi i frymëmarrjes sime. Edhe pse e rrezikshme duhet të mbaj hapur valvulat që ajri të mund të dalë sepse është e vetmja mënyre për të operuar përndryshe nuk shihet asgjë nga avulli i frymëmarrjes.

Ah po harrova që, pjesë e uniformës së posaçme për Covid është jo vetëm 2 këmisha me të cilat jam mësuar, sepse i përdorë në përditshmërinë time në sallë operimi, por 3 palë dorashka që duhen vënë dhe hequr me një radhë shumë precize që të mos infektohesh.

Me 3 palë dorashka dhe ndjeshmëria e dorës së kirurgut ndryshon, gjithçka bëhet akoma më e vështirë. Zgjati 2 orë, nga ai moment për mua ajo u quajt Uniforma e Vetëvrasjes”.