Kjo pandemi, përpos të gjithave na ka kushtëzuar që t’i japim lamtumirën e fundit të dashurve tanë. Nuk janë të paktat rastet, ku shumë familje, për t’i shpëtuar një infektimi të mundshëm, nuk e kanë pasur mundësinë të vizitojnë të afërmit që vuajnë nga sëmundja. Por një i ri nga Palestina, i identifikuar si Jihad Al-Suwaiti, i ka dhënë lamtumirën nënës së tij e cila po ndërronte jetë nga koronavirusi, në një mënyrë që i ka rrezikuar edhe atij jetën.
E ëma ishte infektuar me COVID-19 dhe mjekët nuk e lejuan disa herë që ai ta vizitonte. Me anë të një telefonate, mjekët e spitalit ku nëna e tij po trajtohej, e njoftuan 30-vjeçarin se gjendja e saj ishte tepër rëndë dhe mundësia që ajo të ndërronte jetë ishte tepër e madhe.
Duke u ndodhur në këto kushte, Jihad vendosi të ngjiste godinën e spitalit nga pjesa e jashtme dhe të vendosej në dritaren e dhomës ku ndodhej e ëma. Këtë veprim ai e bëri deri në momentin kur mjekët e njoftuan se nëna e tij kishte ndërruar jetë. Ndërsa historia dhe fotot e tij teksa i jep lamtumirën nënës së tij kanë bërë xhiron e rrjetit.