Këshilli i Ministrave miratoi sot në parim marrëveshjen e huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës.
Në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjit “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin në parim, të marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës, “hua shtesë”, me një hua në shumën 183 750 000 (njëqind e tetëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) rial saudit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.