Miomat ose siç njihen ndryshe si mishi i huaj në mitër, është një problem gjinekologjik që prek shpesh femrat në moshë riprodhuese.
Doktori gjinekolog, Mishel Papakozma këshillon, kryesisht nënat e reja, që dëshirojnë një shtatzëni, që si fillim të bëjnë një ekzaminim për të parë nëse kanë mioma, pasi ato mund të sjellin rrezik për shtatzëninë.
“Një nënë shtatzënë dhe më mioma duhet të ketë një kujdes shumë të madh deri në fund të shtatzënisë. Përfundimet kanë qenë shumë të mira, ka pasur edhe lindje normale edhe me operacion. Mioma gjatë shtatzënisë ka tendencën që deri në fund të shtatzënisë të zhvillohet dhe rritet. Pas lindjes, reduktohet përsëri, por ka raste që edhe reduktohet fare”, tha Mishel Papakozma, Drejtor i Maternitetit, Korçë.
Papakozma thotë se mjekim për miomat nuk ka, e vetmja zgjidhje për to është heqja me operacion.
“Nëse pengon shtatzëninë mund t’i bëhet ndërhyrje operative“, theksoi ai.
Në shumicën e rasteve miomat nuk shkaktojnë simptoma, por ka dhe paciente që mund të përjetojnë gjakderdhje të mëdha gjatë ciklit, dhimbje barku, etj.
Miomat mund të shkaktojnë anemi. Gjithashtu mund të sjellin dhe infertilitet, sepse ekzistenca e tyre e bën të vështirë implantimin e embironit, duke rezultuar me aborte të përsëritura.