Meta: Elbasanit do t’i rikthejmë zhvillimin ekonomik dhe perspektivën për qytetarët

Një ditë pas takimit në Elbasan kur prezantoi kryesuesen e listës për Këshillin Bashkiak Rudina Mita Todri, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një tjetër mesazh në faqen e tij në Facebook.
Meta thotë se për Elbasanin ka vetëm një rrugë ajo e ndryshimit dhe rimëkëmbjes që do të fillojë në 14 maj. Meta shprehet i bindur për fitoren dhe garanton se këshillarët e Partisë së Lirisë do jenë zëri i qytetarëve dhe garancia e tyre.

Për Elbasanin ka vetëm një rrugëzgjidhje: Ndryshim dhe Rimëkëmbje!
Ne duam që Elbasani të mos jetë më i dyti në listën e qarqeve më të varfëra të Shqipërisë dhe jemi të vendosur që t’i rikthejmë atij zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e shkëlqyer që qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë meritojnë.

‘Unë besoj se Profesore Rudina dhe gjithë ekipi që ajo do të drejtojë i Partisë së Lirisë, jo vetëm që do të bëjnë një fushatë model, por edhe pas fitores së këtyre zgjedhjeve, do të jenë garancia që zëri juaj, i grave, i nënave, i vajzave të Elbasanit dhe gjithë qytetarëve do të mbizotërojë në Këshillin e Bashkisë dhe në drejtimin e Bashkisë së Elbasanit për mbajtjen e premtimeve’.