Unë i kuptoj shumë mirë të gjithë prindërit, të cilët u desh të punonin plot stres me fëmijët gjatë zhvillimit të mësimit në distancë duke bërë edhe rolin dhe punën e mësuesit. I kuptoj që me zor presin të rifillojnë shkollat. Por gjithsesi fakti është se situata viruale nuk është normale, madje e rrezikshme.
Mes dhjetëra pikëpyetjesh e nisa sot ditën e parë të punës për vitin e ri shkollor 2020-2021. Ndryshe nga vitet e tjera, ku zakonisht vitin shkollor e nisnim me një kafe a një ëmbëlsirë si për ditëlindjen time, mes urimesh ditëlindjesh e një viti të mbarë në punë, sot, të sistemuar sipas një grafiku, ishim vetëm pak mësues që belbëzonim urime për shëndet e punë të mbarë, pas maskave që fshihnin buzëqeshjet e fashitnin entuziazmin.
Është gati mesnatë dhe familja ime po fle, por unë vendosa të ndalem të reflektoj pak dhe t’i hedh gjithë ato pyetje-mundime e mëdyshje në letër, që mbase, kur t’i lexoj të mund ta tejkaloj ankthin, pasiguritë, shqetësimin e të mendoj më objektivisht.
1- A do të jem e aftë mendërisht, fizikisht, emocionalisht të jap mësim në mënyrë cilësore në kontekste të paqëndrueshme mësimore, herë në klasë, herë nga shtëpia, sipas nevojës së karantinimit, dhe në një mjedis, ku, për hir të së vërtetës, kushtet higjeno-sanitare, mirëqenia fizike e emocionale mund të mos jetë më optimalja dhe mua (ose familjes sime) mund të më rrezikohet jeta, nëse infektohem?
2- A do të jemi në gjendje ta mbajmë maskën unë dhe nxënësit e mi për disa orë rresht duke ditur se mbajtja e saj për një kohë të gjatë krijon mjaft lagështi, disa nxënësve u krijon alergji dhe akne në fytyrë dhe u duket sikur truri nuk furnizohet me oksigjen mjaftueshëm për të menduar? Si do të mund të flas me maskë kur zëri im është i ulët dhe i pashoqëruar nga gjestet e mimika? A do të dëgjohem, a do të kuptohem? A do të mund t’i kuptoj e dëgjoj nxënësit kur flasin me maskë? A do munden ata t’i kuptojnë shakatë e mia “serioze” pa buzëqeshjen që i shoqëron? Sa do mund të rezistojnë nxënësit pa e thyer rregullin e maskëmbajtjes së detyruar?
3- A do të jenë vallë efikase rregullat për mbajtjen e distancës gjatë 5- minutëshit, por dhe gjatë mësimit duke pasur parasysh dinamikën mjaft aktive të moshës, nevojës për afektivitet shoqëror dhe thjesht faktit që s’mund të rrinë të gozhduar në karrige?
4- A do mund të zgjidhet problemi i ujit të rrjedhshëm në tualete deri më 14 shtator, se ne mësuesit do bëjmë si do bëjmë? (E vërteta është e dhimbshme, por kjo është: Ndërtesë 4 katëshe me 700-800 nxënës, me luksin për të pasur 4 tualete për kat por asnjë pikë ujë, është skandal, dhe kŕim mostruoz jo thjesht për një shkollë në kohë Covid 19, por në çdo shkollë të shek. XXI).
5- A do kenë dëshirë nxënësit të vijnë në shkollë duke ditur se mësimdhënia do të përqendrohet te lëndët bazë shkencore dhe shoqërore, ose te ato lëndë që ata i konsiderojnë të vështira dhe “joargëtuese”? A do kenë dëshirë ata të punojnë me seriozitet lëndët dytësore, module apo me zgjedhje të detyruar on line + ardhjes në shkollë? A do të vijonin me dëshirë ata në një shkollë ku nuk zhvillohet asnjë lloj ativiteti sportiv, letrar dhe kulturor dhe nëse do kërkohej që disa prej tyre të zhvilloheshin online,(jo se përcaktohet në udhëzues, por nga përvoja kemi mësuar se disa gjëra “kërkohen rrugës”). A s’do të ishin ngarkesë dhe për ta dhe për mësuesin që i ndjek? A do të ishin të vlefshme krahasuar me zhvillimin e tyre real brenda dhe jashtë shkollës? Duke ditur se aktivitetet brenda e jashtëshkollore ndër shumë të tjera, ndihmojnë mirëqenien psiko-emocionale dhe komunikimin ndërsocial, duke i shmangur ato, për shkak se nuk i realizojmë dot, a po i ndihmojmë realisht fëmijët në këtë aspekt?
6- Nëse orët do të bëhen 30 minuta, a s’do të kem veç kohë për të shpjeguar dhe aspak kohë për zhvillimin e kompetencave dhe vlerësimin? A s’do të kthehemi përsëri te teknikat tradicionale të shpjegimit dhe mësimdhënia me në qendër mësuesin dhe jo nxënësin? A do mund t’i përshtatim dot ngarkesat e teksteve në njohuri sipas kërkesave të reja kohore dhe teknike ( të ndryshueshme në mënyrë të papritur dhe të paparashikuar sipas situatës së përditshme)?
7- Pse nuk po merren masa që të shfrytëzohen edhe mjedise të jashtme të shkollës për të pasur mundësi të zhvillohet mësimi edhe jashtë (outside learning) përderisa vendi ynë ofron mot me diell dhe me radhë përdorimi mund të shfrytëzohen kënde të ndryshme në oborr aty ku është e mundur? Pse nuk kanë nisur të pastrohen oborret të vizohen vendet e nxënësve në klasat e improvizuara jashtë?
(Personalisht e kam eksperimentuar me leje nga drejtoria dhe kanë rezultuar jo vetëm orë efektive, por nga ato orë argëtuese që kanë mbetur gjatë në kujtesën e nxënësve).
8- A do munden nxënësit të rrinë në mësim për disa orë në mënyrë efektive pa konsumuar ushqim? (Disa prej tyre me zor zgjohen dhe nuk konsumojnë mëngjes në shtëpi. Disa të tjerë, nuk do mund të konsumojnë dot as një mëngjes të gatshëm, të blerë, meqenëse s’do të ketë pushim të gjatë). A keni provuar t’i jepni mësim një adoleshenti të uritur (veçanërisht një djali)?!Dhe ç’ndodh nëse ndonjë nuk reziston dot pa ngrënë, por s’mund të rikthehet në klasë pasi ka dalë? Nëse i ndodh diçka këtij fëmije, kush përgjigjet, kush mban përgjegjësi për jetën dhe mirëqenien e tij/ e saj?!
9- Nëse mësuesit do të punojnë me turne, në qoftë se klasat do të ndahen në 2 grupe, a do të shtohen mësues të rinj, a do të ndryshojë norma, po paga?! Nëse nuk shtohen mësuesit, a do të jetë efikas një mësues i lodhur, a do të jetë një mësimdhënie cilësore? Nëse mësuesit nuk shtohen, por duhet të punojnë me dy turne edhe pse orari i punës mund të mos ndryshojë, por lodhja e norma po, a nuk do duhet të konsumojë mësuesi ushqim në një mjedis me dhjetëra frymë të tjera, qoftë edhe nëse nuk janë aty, por duke ditur që virusi qëndron në ajër?!
10- Sa e dobishme do të ishte një mësimdhënie që duhet të ndërpritet disa herë për shkak të karantinimit, sepse nxënësit e një klase mund të infektohen dhe kjo mund të ndodhë jo domosdoshmërish në klasë?
11- Si do të mund ta monitorojmë e vlerësojmë vijimin e parregullt të nxënësit nëse ai/ajo abuzon me të vërtetat shëndetësore dhe përligjet nga prindi që të marrë mungesa të arsyeshme? Si do të mund të vlerësohen situata vijimore të caktuara duke pasur parasysh që mund të tejkalohet numri i mungesave ndaj të cilave merren masa, nisur nga përcaktimet në Dispozitën Normative?
12- A duhen riparë dhe ripunuar planet mësimore sipas programit të RTSH shkolla në mënyrë që mësimi të vazhdojë paralel pavarësisht tekstit të përzgjedhur për t’u punuar? A nuk duhet të fillojnë mësuesit t’i rishohin dhe punojnë me kujdes planet duke nisur që sot, sepse jo të gjithë mund të punojnë njësoj në kushte kohore të njëjta dhe ka mësues që japin shumë lëndë të ndryshme jo thjesht 1 apo 2 lëndë në disa paralele? Ende s’i ka gati Ministria udhëzimet për këtë aspekt, kur nuk ngelen shumë kohë deri në afatin përfundimtar të dorëzimit të tyre dhe kontrollimit e aprovimit nga Drejtoria e shkollës?
13- Çdo të ndodhë me nxënësit që jetojnë në konvikt? Po për nxënësit nga fshatrat e rrethinat që udhëtojnë me urban ku distancimi social është i vështirë për kushtet shqiptare? Po mësuesit që do të udhëtojnë me autobusë e mjete të tjera transporti?
14- Si do t’i përballojnë familjet shqiptare shpenzimet e shtuara për higjienën, kur virologët argumentojnë që mbajtja e një maske tekstili (të cilën mund ta lash e ripërdorësh disa herë) realisht nuk të mbron nga Covid-19 dhe maskat kirurgjikale mund të përdoren vetëm disa orë?
A ka menduar Ministria për t’i ndihmuar nxënësit, mësuesit, shkollat me maska e dizifektantë? (Shpenzime që u shtuan sot ishin: 1 maskë 80 lekë+ 50 gr. Alkool rreth 25 lekë me rimbushje+ 1 shishe ujë 50 lekë.) Realisht kur rifilluam mësimin në maj për maturantët shkollat u pajisën me elementet e higjienës. Personalisht nuk mora asnjë maskë nga ato që erdhën për personelin. U pajisën sanitaret e rojat me disa të tilla, por sot vura re që përdornin po ato shumë herë të ripërdorura e tashmë aspak mbrojtëse. Realisht këta punonjës të Bashkisë shpesh janë shëtitës në më shumë se 1 institucion dhe mundësia për t’u bërë mbartës e shpërndarës së virusit është shumë herë më e madhe. Ndaj ata duhen pajisur mirë me veshje e aksesorët e përshtatshëm, sepse paga që marrin nuk ua mundëson .
15- Si prind i një fëmije të ciklit fillor më shqetëson shumë fakti i mbajtjes së maskës gjatë mësimit, i ushqimi të palejuar, distancës e moskomunikimit mes tyre pa u afruar e pa ndarë gjërat ( Pyesni një mësuese cikli a është e mundur të mos…???), por shqetësim i madh janë dhe oraret shkollore me turne, kur fëmijët nuk ka kush t’i çojë e t’i marrë nga shkolla, kur gjyshërit e gjyshet, shpesh shumë ndihmues, nuk duhet t’i angazhojmë në këtë sipërmarrje nëse duam t’i ruajmë e të mos i ekspozojmë ndaj virusit. Si do t’i zgjidhim këto çështje? Si do t’i lëmë vetëm në shtëpi fëmijët për më shumë orë se zakonisht?
Çdo njeri i përgjegjshëm, me ndjesi humane e qytetare do ta shqetësonin çështje të tilla e shumë e shumë të tjera si këto, por veç mësuesi i njeh në detaje problematikat arsimore të komunitetit të tij dhe arsimit shqiptar. Unë i kuptoj shumë mirë të gjithë ata prindër, të cilët u desh të punonin plot stres me fëmijët gjatë zhvillimit të mësimit në distancë duke bërë edhe rolin dhe punën e mësuesit. I kuptoj që me zor presin që fëmijët të rifillojnë shkollën normalisht. Edhe unë, pavarësisht se jam mësuese, nuk e zëvendësoj dot mësuesen e vajzës sime. Por gjithsesi duhet mbajtur parasysh fakti se situata viruale nuk është normale, madje e rrezikshme.
Mua një mijë pyetje e mëdyshje ma trazuan sot shpirtin dhe mendjen, por ajo që vuri në alert tërë qenien time ishte shqetësimi thellësisht human: Po sikur, (O Zot mos qoftë!) të humbim jetë fëmijësh, si do të reagonim të gjithë ne, mësuesit, nxënësit, prindërit? A jemi ne të përgatitur për humbje të tilla? Po të humbim jetë mësuesish, nga ata mësuesit tanë të vjetër, të përkorë, të mbrujtur me përvojën e jetës profesionale, nga ata që i kërkojmë me qiri, nga ata mësuesit tanë të mrekullueshëm, me kokën mbi libra, por fatkeqësisht me imunitet të dobët, a do ta përtypnim dot si statistikën e radhës? A është e gatshme MASR-ja të humbë burimet e saj njerëzore më me vlerë? “Është lụftë,- më tha dikush sot- dhe lụfta, edhe pse me një virus të padukshëm, humbje ka!”. U pështjellova e tëra. A nuk e kupton ky njeri se sa e vështirë është të lindësh e të rritësh një fëmijë sot?! A nuk e kupton ky njeri çdo të thotë të rritesh jetim?!
Lụfta për dijen a s’është veçse lụfta për jetën?!
Nga Marsela Neni, mësuese e gjuhës dhe e letërsisë./portali shkollor