Një nismë me ndryshime të Kodit Rrugor nga ana e Ministrisë së Brendshme dërguar në Kuvend synon rritjen e gjobave për një sërë shkeljesh. Sipas draftit, për çdo drejtues mjeti që kryen parakalim të gabuar, gjoba arrin në 10 mijë lekë dhe nëse shkelja përsëritet dy herë brenda vitit, çon në pezullimin e patentës për një muaj.
“Në rast të verifikimit të një aksidenti me dëme materiale ku është identifikuar si shkelje parakalimi i gabuar, drejtuesi i mjetit fajtor për këtë shkelje ndëshkohet përveç masës administrative me gjobë sipas pikës 16, edhe me heqjen e 3 pikëve”- thuhet në nismën ligjore.
Gjoba rritet edhe për përdorimin e celularit, ku parashikohet dhjetëfishimi i gjobës. Kështu, nga 500 deri 1000 lekë që ishte deri më tani, gjoba bëhet 5 mijë lekë dhe maksimumi do të shkojë nga 5000 deri në 15000 lekë Ndërkohë, gjoba pritet të ketë edhe për makinat e blinduara që qarkullojnë pa autorizim. Krahas konfiskimit, për drejtuesit do të ketë një gjobë nga 100 deri në 200 mijë lekë.
“Kushdo që qarkullon me një mjet të blinduar, për të cilin mungon autorizimi i lëshuar nga organi kompetent, ndëshkohet me masë administrative me gjobë, nga njëqind mijë deri në dyqind mijë lekë dhe zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit administrativ të mjetit. Të njëjtat masa zbatohen ndaj zotëruesit të mjetit nëse ky i beson mjetin një drejtuesi të paautorizuar””- thuhet në një nga pikat e projektligjit.
Këto janë disa nga 28 ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor që Ministria e Brendshme ka dërguar pranë Kuvendit, ku do të shqyrtohen nga ana e deputetëve. Një tjetër shkelje siç është ajo e përparësisë, e cila ishte nga gjobë deri në 3 mijë lekë, bëhet deri në 8 mijë lekë.
Një tjetër risi e ligjit janë edhe parashikimet për humbjet e pikëve nga ana e shoferëve. “Me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit ndjek një kurs një javor pranë autoshkollave të licencuara. Në përfundim të këtij kursi, drejtuesi i mjetit i nënshtrohet provimit të kualifikimit teknik”, thuhet në pr/ligj.