Ashtu si ndaj Tiranës, edhe ndaj Bylisit është Kristi Qose, që nxjerr nga situata Elbasanin dhe i jep tri pikët e shpresës.qoseNë mungesë të Lleshit dhe Mustës, duket se po e bën ai bomberin në këtë fund kampionat, edhe pse për “Panorama Sport” pas ndeshjes pranon se është përgjegjësi e madhe të zëvendësosh këtë dyshe. Sakaq, ai tregon edhe “sekretin” e golave këto javë.
“Normalisht jam i gëzuar dhe krenar që shënova dhe në fund skuadra mori fitoren. Tani shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe me dy ndeshjet që na kanë mbetur. Personalisht mundohem gjithnjë që të shkoj drejt zonës dhe të përfitoj për të shënuar, ndaj edhe kanë ardhur këto golat. Edhe më herët e kam provuar, por tani po marr frytet. Nuk mund të them se po zëvendësoj Lleshin dhe Mustën për golat, sepse është përgjegjësi e madhe”, u shpreh fillimisht mesfushori i Elbasanit.
VAZHDIMËSIA Katër fitoret e fundit radhazi e kanë bërë Elbasanin ekipin e momentit dhe jo më kot shpreson që në përfundim të edicionit të zërë vendin e katërt. Qose beson te ky objektiv, ndërsa do të provojë të shënojë edhe ndaj Vllaznisë, qoftë edhe me dorë.
“Të gjithë besojmë tani te vendi i katërt dhe do bëjmë detyrën tonë në dy ndeshjet që kanë mbetur. Do mendojmë fillimisht për Vllazninë, ku shpresojmë ta kalojmë me sukses. Edhe me dorë të jetë (qesh), vetëm të shënoj gol dhe të fitojë skuadra”, ishte batuta e Qoses në lidhje me mundësinë për të shënuar sërish.
FORMA Duket një Qose në ditët e tij më të mira ky i javëve të fundit, jo vetëm për golat që po shënon, por në tërësi me atë që po jep për skuadrën.
“Besoj se kam qenë më mirë në këtë pjesën e dytë të kampionatit dhe këtë nuk po e them se kam shënuar gola. Unë gjithnjë përpiqem të bëj më të mirën time në çdo ndeshje. Në shtëpi duket se i gjej më lehtë golat, edhe për shkak të mbështetjes që kemi nga tifozët, që na kanë ndihmuar shumë për të na motivuar”, mbylli prononcimin e tij për gazetën mesfushori i skuadrës së Elbasanit, Kristi Qose.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL