Festivalin e 59 të Këngës pavarësisht Covid-19, do të mbahet këtë fundvit. Përmes një deklarate zyrtare të publikuar në faqen e Radio Televizionit Shqiptar, u njoftua se kanë nisur sot (1 korrik) përgatitjet për Festivalin e Këngës në RTSH dhe sipas njoftimit, pritet që në muajin shtator krijuesit të paraqesin këngët konkurrente për edicionin e 59.
Lidhur me fituesen e edicionit të kaluar, Arilena Ara, nuk ka një vendim, por për sa kohë do të zhvillohet Festivali i Këngës, gjasat janë që të vazhdojë tradita e viteve të kaluara, ku në Eurovision shkon këngëtari/ja ose grupi i/e fundit që shpallet fitues i festivalit.
“Pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi është e sigurt se edhe këtë fundvit eventi më i madh i këngës në vend, do të mbahet. Nëndrejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka zhvilloi sot takimin e parë konsultativ me krijuesit, që kanë lënë gjurmë në këtë festival, muzikantë e tekstshkrues,” shkruhet në njoftim.
“Në takim u diskutuan çështje që lidhen veçanërisht me cilësinë e festivalit, duke nisur që nga ngritja e një komisioni vlerësimi për përzgjedhjen e këngëve e deri tek kriteret për pjesëmarrjen në festival.” Sipas njoftimit, pritet që në muajin shtator krijuesit të paraqesin këngët konkurrente për edicionin e 59.