Në vijim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së Covid-19, qeveria ka vendosur që të ndalojë muzikën pas orës 20:00 në lokale si dhe ka mbyllur klubet e natës dhe diskot. Kjo për arsyen se muzika dhe klubet e natës bëhen shkak për grumbullimin e njerëzve, gjë që mund të ndikojë në përhapjen e koronavirusit. Kështu shumë këngëtarë e artistë janë ankuar dhe kanë protestuar, duke thënë se kanë ngelur pa punë e nuk kanë lekë.
Sakaq, ka reaguar edhe këngëtari i njohur kosovar Ermal Fejzullahu. Ai ka thënë se është turp që këngëtarët ankohen për punë e për lekë, pasi në Shqipëria dhe Kosovë ka shumë të varfër, saqë atyre nuk u ka hije të ankohen.
“Kolegët e mi janë ligështuar sepse nuk kanë pasur shumë punë. Por përderisa në trojet e Kosovës dhe të Shqipërisë ka shumë të varfër, për ne është shumë turp të na dëgjojë kush duke u ankuar, duke thënë nuk kemi punë. Është turp prej Zotit, kështu që ne të bëjmë maksimumin tonë dhe t’i kënaqim ata njerëzit. Nuk kanë lidhje pazaret, nuk kanë lidhje lekët, është turpi i botës të flasin këngëtarët për lekë. Është turpi i botës, të betohem,”- tha Ermal Fejzullahu i ftuar në emisionin “Ora Verore”.
Kujtojmë që Ermal Fejzullahu dhuroi 100.000 euro për Shqipërinë, si ndihmë pas tërmetit të 26 nëntorit.