Mbyllet laboratori i analizave në spitalin e Elbasanit, qytetarët e 7 bashkive pa shërbim

Laboratori i spitalit shtetëror në Elbasan është mbyllur prej disa ditësh, duke mos ofruar shërbim për qytetarët.

Deri më datën 3 prill 2023, qytetarët duhet ti drejtohen laboratorëve private për të marrë shërbim.

Laboratori i analizave të Spitalit Rajonal të Elbasanit është dhënë me koncesion që në vitin 2021 dhe aktualisht qytetarëve nuk do t’u shërbehet deri më 3 prill për shkak se fondi ka përfunduar i planifikuar.

Sipas mjekut Luan Rrapi, nëndrejtor teknik për Shërbimet Shëndetësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit kjo situatë problematike ka ardhur për shkak të shtimit me ritme të paparashikuara të personave me sëmundje kronike dhe sidomos të shtimit të rasteve me kancer.

Në total deri në ditët e fundit të muajit mars në këtë laborator janë kryer 17,875 analiza, një shifër kjo mjaft e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të shkuara.

Por pavarësisht situatës problematike, kryerja e analizave për urgjencat, shtrimet dhe të sëmurët kronikë nuk është ndërprerë asnjëherë.

Ky laborator u shërben banorëve të bashkive Elbasan, Librazhd, Përrenjas, Gramsh, Belsh, Peqin dhe Cërrik.