Mblidhet Komiteti i Ekspertëve dhe japin lajmin e keq për vendin. Masat e reja në fuqi

Në Shqipëri qarkullon mutacioni i virusit britanik të Covid-19. Ky fakt është konfirmuar nga analizat laboratorike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik të Ankarasë në Turqi. Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja Manastirliu u shpreh se analizat laboratorike kanë konfirmuar dyshimet e mjekëve sa i përket rritjet së numrit të infektimeve dhe agresivitetit të virusit që prej muajit Janar.

Ndërkohë, masat aktuale kufizuese nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit dhe zhvillimi i mësimit online do të qëndrojnë në fuqi edhe për 2 javë të tjera. “Masat që janë propozuar me shumë vëmendje dhe ne të vazhdojmë t’i mbajmë edhe për një periudhë kohe 2-javore. Pra ora policore do vazhdojë të jetë ajo që ka qenë, nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Do të vazhdojë të mbetet mësimi online. Fluturimet direkte me Britaninë do të mbeten të pezulluara edhe për një periudhë 2-javore”, u shpreh zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

MASAT QË JANË NË FUQI:

Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.

Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).

Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.

Universitetet vijojnë online. Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe.

ANËTARËT E RINJ TË KOMITETIT TEKNIK TË EKSPERTËVE:

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka prezantuar anëtarët e rinj të Komitetit Teknik të Ekspertëve pas largimit të Najada Çomos që do të kandidojë në listat e deputetëve të PS, dhe Tritan Kalos që vendosi të largohej vullnetarisht. Kështu, Najada Çomo është zëvendësuar nga Dhimitër Kraja, kurse Tritan Kalo nga Alban Ylli. Ndërkohë, pjesë e këtij komiteti është bërë edhe Ermila Kola.