Mblidhet Këshilli Vendor i Sigurisë Publike/ Llatja: Bashkia ofron shërbime sociale të dedikuara për fëmijët në nevojë, si dhe…

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, ka mbledhur Këshillin Vendor të Sigurisë Publike, ku në fokus të këtij takimi ka qenë kujdesi dhe mbrojta e fëmijëve, si edhe plani i ri vendor për barazinë gjinore 2022 – 2024.

Në këtë takim, kanë marrë pjesë Prokurori i rrethit Kreshnik Ajazi, drejtori i Policisë Z. Ardjan Cipa, Drejtore e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, znj.  Alma Tandili, si edhe përfaqësues të institucioneve publike dhe atyre të shoqërisë civile.

Kryetari i Bashkisë njëherazi edhe kryetar i këtij Këshilli, Z. Gledian Llatja në fjalën e tij e vuri theksin tek roli që luan familja, në këtë rast prindërit, si edhe komuniteti në kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve. Por, sipas tij “fatkeqësisht është ende brenda mjedisit familjar dhe komunitet që disa fëmijë përjetojnë dhunë, në formë fizike, seksuale, emocionale dhe neglizhencë, ndërsa dëshiroj të përmend se sot kemi një risk të lartë të abuzimit dhe rekrutimit online të fëmijëve.

 Bashkia Elbasan ofron shërbime sociale të dedikuara për fëmijët në nevojë për mbrojtje dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Disa nga shërbimet dhe format e mbështetjes që ofrohen janë: mbështetje psiko-sociale dhe emocionale, konsulencë dhe mbështetje ligjore, strehim emergjent, transport në një vend të sigurt, mbështetje ekonomike si rast në nevojë, mbështetje ekonomike si subjekt i pajisur me Urdhër Mbrojtjeje, paketa ushqimore, bonus qeraje (sipas specifikave të rastit), kujdes shëndetësor, mbulimi i kostos së ilaçeve për fëmijët, referim për ndjekjen e një kursi profesional, punësimi i rastit duke koordinuar me Zyrën Rajonale të Punësimit Elbasan, regjistrimi i fëmijëve në shkollë dhe çerdhe, pagesa e çerdhes, informim dhe këshillim për dhunuesit, monitorimi i zbatimit të Urdhrave të Mbrojtjes bazuar në detyrimet ligjore”.

Duke u ndalur vetëm tre vitet e fundit, kryebashkiaku Llatja numëroi edhe shumë arritje që janë bërë në Bashkinë e Elbasanit.

“Menaxhimi i rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje dhe i viktimave të dhunës në familje, kryesisht gra dhe fëmijë kanë marrë shërbime mbështetëse bazuar në vlerësimin e nevojave rast pas rasti.  Në bashkinë Elbasan mirëfunksionojnë tashmë prej vitesh Grupet dhe Ekipet Teknike Ndërsektoriale për menaxhimin e rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje dhe viktimave të dhunës në familje. Drejtoria e Shërbimit të Kujdesit Social dhe Komunitar ka ngritur Sistemin e Punonjësve në Gatishmëri për rastet emergjente. Këta punonjës janë në gadishmëri në bazë të një grafiku të përcaktuar në një kalendar me numrat e telefonit të punonjësve i cili është vënë në dispozicion të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Agjensisë Shtetërore për Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.

Gjithashtu gjatë këtyre tre viteve Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë një plan masash në bashkëpunim me aktorët lokal për riintegrimin e fëmijëve në situatë rruge, duke ulur ndjeshëm numrin e fëmijëve që lypin. Ajo që vlen të përmendet është dhe përgjegjësia me të cilën po bashkëpunojnë institucionet e Policisë dhe Prokurorisë, ku përpos ofrimit të shërbimeve për fuqizimin e familjeve kanë nisur praktikat e procedimit penal për rastet ripërsëritëse, ku prindërit/kujdestarët po ndiqen penalisht.

Duke u ndalur tek Plani i Ri Vendor për barazinë gjinore 2022 – 2024 kryebashkiaku Llatja shtoi se “ky plan synon përgatitjen e bashkisë për të avancuar në planifikimin, zbatimin, monitorimin e vlerësimin e të gjitha ndërhyrjeve të saj, nën këndvështrimin gjinor, duke mundësuar gjithashtu një dokumentim sa më të mirë të rezultateve të matura me tregues të mirëpërcaktuar e të ndjeshëm gjinorë. Bashkia Elbasan në drejtimin të mbrojtjes së fëmijëve është e vetmja bashki që ka hartuar Politikën e mbrojtjes së fëmijëve e cila është një dokument për të garantuar mbrojtjen e tyre. 

Në vazhdimësi Bashkia ka ndërmarrë edhe nismën ‘Elbasani, qyteti miqësor i fëmijëve’. Ajo që vlen të theksohet është përfshirja e fëmijëve në mjaft aktivitete ku kanë shprehur mendimin dëshirat ëndrrat lidhur me se si e duan ata qytetin e tyre. Janë krijuar hapësira interaktive dhe argëtuese për fëmijët si dhe me iniciativën e fëmijëve është krijuar Guida Turistike për Bashkinë  Elbasan në gjuhën e fëmijëve”. Duke renditur edhe një sërë sfidash kryebashkiaku Llatja tha ndër të tjera se “disa nga sfidat tona janë, thyerja e kulturës së heshtjes për të denoncuar rastet e abuzimit të fëmijëve, veçanërisht abuzimit seksual. Adresimin e normave diskriminuese, qasja shumësektoriale, investime më të mëdha në monitorimin e treguesve dhe të dhënave, ngritja e qendrave komunitare pranë Njësive Administrative, si edhe sigurimi i një angazhimi domethënës të të rinjve në hartimin e programeve dhe politikave.  Adoleshentët dhe të rinjtë duhet të jenë në qendër të ndërhyrjeve nga politika tek zbatimi, nga hartimi tek monitorimi. Nuk ka të bëjë vetëm me përfshirjen e tyre, por edhe t’i lëmë të na udhëzojnë për të përmbushur dhe adresuar nevojat dhe dëshirat e tyre.

Nëse vërtet duam të bëjmë një ndryshim, duhet t’i dëgjojmë ata, t’u besojmë dhe të punojmë me ta për të adresuar qëndrimet dhe praktikat në komunitet. Të punosh me komunitete dhe udhëheqës fetarë me ndikim, shkolla, djem dhe burra, familje dhe sigurisht vajza për të fuqizuar, ndërtuar aftësi, për të ofruar mundësi dhe mjedise të favorshme për të mbështetur pozitivisht kalimin e adoleshentëve dhe të rinjve nga fëmijëria në moshën madhore.

Përkundër gjithë këtyre sfidave në ofrimin e kujdesit ndaj fëmijëve, ka shpresë se si mund ta ndryshojmë situatën e fëmijëve. Ne mund ta bëjmë këtë duke ofruar aftësi prindërore, duke mbështetur familjet dhe duke forcuar përpjekjet për të monitoruar cilësinë e kujdesit.

Shërbimet e kujdesit të mëtejshëm duhet të përmirësohen përmes vizitave nga punonjësit socialë, ofrimit të mbështetjes psikosociale, ndihmës materiale, grupeve mbështetëse dhe rrjeteve”, përfundoi kryebashkiaku.