Mbetjet e rrezikshme në anije? Flet administratori i “Kurum”: Kompania ka mbyllur përkohësisht aktivitetin prodhues

“Kurum International Sh.A.” është kthyer në qendër të kritikave pas skandalit me dërgimin e mbetjeve toksike në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit drejt Tajlandës.

Kompania “Kurum” ka dhënë një reagim për emisionin ‘Opinion’ në TV Klan, ku ka dhënë versionin e saj në lidhje me këtë ngjarje dhe se çfarë po ndodh me kompaninë ditët e fundit.

Në përgjigje të pyetjeve, “KURUM” thekson se kompania e tyre ka mbyllur përkohësisht vetëm aktivitetin prodhues, ndërkohë që sipas administratorit aktivitetet e tjera vazhdojnë normalisht.

Kompania shprehet gjithashtu se nuk prodhon mbetje toksike. “KURUM” citoi se gjatë procesit të prodhimit të çelikut, gjenerohen disa lloj mbetjesh, si: Oksid Hekuri, Oksid Zinku dhe Skorje, të cilat nuk konsiderohen mbetje e rrezikshme.

1. A janë tuajat mbetjet e cilësuara toksike në anijen që po kthehet nga Tajlanda?

Kompania Kurum International nuk prodhon mbetje toksike. Për sa i takon mbetjeve në fjalë, duke qenë se shitja e fundit e tyre është bërë në muajin tetor 2023, dhe se ne nuk jemi eksportuesi i këtyre mbetjeve, është e pamundur që në të kemi informacion të plotë për këtë çështje. Në rast se do të kishim analizat e plota të këtyre materialeve, do të kishim mundësi të shprehnim një opinion më konkret në lidhje me këtë fakt.

2. A prodhoni ju mbetje të rrezikshme dhe si i trajtoni mbetjet tuaja?

Gjatë procesit të prodhimit të çelikut, gjenerohen disa lloj mbetjesh, si psh: Okalin, ose Oksid Hekuri (FeO). Ky material ka një përqindje të lartë hekuri, nuk është mbetje e rrezikshme dhe është produkt që shërben si lëndë e parë në disa industri si atë të çelikut, çimentos etj. Oksid Zinku. Ky material gjenerohet gjatë procesit të trajtimit të gazeve që dalin nga furra e çelikut ne sistemin e grumbullimit dhe pastrimit të gazeve të furrës. Këto pluhura në përbërje mund të kenë metale të rënda, (por jo radioaktivitet), të cilat përbëjnë rrezikshmeri në rast se nuk ruhet apo transportohet në mënyrën e duhur. Edhe ky material shërben si lëndë e parë në industrinë prodhimit të bojërave, etj. Skorje. Këto janë mbetje që gjenerohen gjatë prodhimit të çelikut dhe kanë në përbërje okside të ndryshme të hekurit, kalciumit, magneziumitt, manganit, silicit etj. por nuk përbëjnë elemente të rëndë. Nuk janë mbetje të rrezikshme dhe përdoren si material mbushës për shtrimin e rrugëve si dhe prodhimin e elementeve prej betoni. Duhet theksuar se për çdo tremujor, çdo 6 muaj dhe për çdo vit raportohet pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit Berat-Elbasan-Korçe për sasitë e gjenerimit të të gjithë mbetjeve dhe të shitjes së tyre.

3. Çfarë procedurash ndiqni dhe keni ndjekur në rastin e shitjes së mbetjeve tek firma Sokolaj dhe cili është raporti juaj me këtë firme?

Kushtet për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo te rrezikshme janë shumë të qarta dhe Kompania jonë është rigoroze në zbatimin e këtyre kushteve. Mbetjet e rrezikshme ruhen sipas kushteve në mjediset e brendshme të fabrikës dhe kur dalin jashtë saj transportohen sipas rregullave në thasë të mëdhenj (big bag). Çdo proces shitje realizohet vetëm kundrejt kompanive që kanë licencat përkatëse të lëshuara nga institucionet përgjegjëse dhe shoqërohen me dokumentacion të rregullt ku mes tyre është edhe fatura tatimore dhe fletë-analiza.

4. A është mbyllur Kurum dhe cila është arsyeja e mbylljes së dy fabrikave brenda Kurum?

Kompania jonë ka mbyllur përkohësisht vetëm aktivitetin prodhues, ndërkohe që aktivitetet e tjera të kompanisë vazhdojnë normalisht. Arsyeja e mbylljes së Fabrikës së Petëzimit është vazhdimi i rinovimit teknologjik të procesit te prodhimit, për të rritur efiçencën e tij dhe uljen e kostove të prodhimit. Ndërsa Fabrika e Çelikut është mbyllur si pasojë zgjatjes në kohë të situatës se jo-produktive dhe jo kosto-efiçente, rrjedhojë kjo e disa faktorëve ndërkombëtare, situatës ekonomike globale në tërësi, dhe situatës së industrisë së rëndë dhe industrisë se çelikut në veçanti. Në dy vitet e fundit, pas fillimit të krizës energjitike në Europë, fabrikat tona kanë vuajtur këtë situatë, duke ndërprerë herë pas here në dy vitet e fundit prodhimin, dhe duke mos patur vijueshmëri gjatë vitit. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023 dhe veçanërisht në 6 mujorin e parë të vitit 2024, industria e rëndë dhe e metaleve në përgjithësi, dhe ajo e prodhimit të çeliqeve për ndërtim në veçanti, vuajtjen faktorët përkeqësues ekonomike globale, ndër të cilat frenimi i kërkesës për investime dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike si pasojë e interesave të larta financiare, rritja e kostove nga periudha e gjatë inflacioniste post-pandemike, dhe vështirësitë në gjetjen e lëndëve të para, çmimet e larta të energjisë elektrike etj.

Çmimet globale të çelikut, pas rritjes së konsiderueshme gjatë viteve 2021-2022 (lufta Rusi-Ukrainë dhe kriza energjitike), kanë vijuar të kenë rënie graduale me gati 29 % brenda vitit 2023 deri në 6-mujorin e parë te vitit 2024. Në 3 mujorin e fundit, faktori KINE, ka ndikuar sërish në rënien e menjëherëshme dhe të konsiderueshme të çmimeve me 10-15 % më tej, duke arritur nën nivelin e çmimeve të kohës para pandemike, konkretisht nën 460-470 USD/ton. Vitin e shkuar, megjithëse Kompania ka rezultuar me fitim, procesi i prodhimit të çelikut në vetvete si qendër kosto-të ardhurash ka rezultuar jo-eficent. Këto humbje janë mbuluar nga fitimet nga aktivitet e tjera të kompanisë. Ritheksojmë se, pavarësisht se kompania është e angazhuar maksimalisht ndaj faktorëve sociale dhe tregon kujdes të veçantë për përgjegjësitë sociale të saj, gjithsesi, kompania mbetet një kompani private e cila njëkohësisht ka përgjegjësi ndaj kreditoreve te saj, ndaj nuk mund te rrezikoje përkeqësimin e situatës së saj ekonomike në pafundësi, duke riskuar shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve, qofshin këta kreditore të saj, furnitorë, banka, organe tatimore apo punonjës.

5. A është Kurum në negociata për shitje të aktivitetit tek ndonjë kompani kineze?

Kompania Kurum nuk është në negociata për shitjen e aktivitetit as tek ndonjë kompani kineze, apo te ndonjë kompani tjetër vendase apo të huaj. Ritheksojmë edhe një herë që Kompania po bën remontet e duhura për të përfunduar investimet e nisura për modernizimin e mëtejshëm të linjave të prodhimit, për të qenë sa më konkurrues dhe efiçentë dhe shpresojmë të rifillojmë procesin e prodhimit në një kohe sa më të afërt. /Marrë nga Opinion.al