Një marshim për emigrimin. Në Elbasan, përfaqësues të komuniteteve fetare në marshimin e paqes të këtij viti u ndalën në fenomenin e largimeve masive nga Shqipëria. Klerikët thanë se shqiptarët po ikin përtej kufijve nga nevoja e mungesa sigurisë për të ardhmen.
“Askush nuk largohet me dëshirë nga vendi i tij. Vetëm nevoja e bën njeriun që të lërë pas të dashurit, kujtimet dhe gjithccka që ai është rritur. U mungon siguria, e për këtë arsye ne duhet të gjejmë forcë brenda vetes tonë dhe të besojmë se vendi ynë mund të bëhet”, theksoi imzot Andoni.
Në vijim Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit kërkoi reflektim dhe ndërtimin e një vizioni për t`i bërë shqiptarët të qëndrojnë në tokën e tyre.
“Marshimi i sotëm është një përpjekje për të reflektuar të gjithë së bashku, duke filluar nga ne drejtuesit fetarë, nga ju si besimtarë dhe sigurisht nga gjithë shoqëria. Në shkrimet e shenjta thuhet se një popull që nuk ka vizion vdes, ose shuhet. Për këtë arsye lutja jonë që të ndërtojmë një vizion për Shqipërinë e ardhshme”, tha ai.
Koordinatori i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar theksoi nevojën e hartimit të një strategjie kombëtare.
“Të ketë një strategji kombëtare në mënyrë që emigrimi të jetë një lloj i difuzimit të kulturave dhe jo të jetë si braktisje e vendit”, tha ai.
Shqiptarët kanë emigruar ndër shekuj por vitet e fundit numrit i atyre që lënë vendin është rritur ndjeshëm e kjo për shkak të vështirësive ekonomike që hasin në Shqipëri, mungesën e shpresës, sigurisë e politikave sociale të qeverive.