“Manastiri” Nga Dr. Arben Ramkaj

Thuhet që Manastiri i Shën Katerinës, është një nga më të vjetrit në botë. Ai ndodhet pranë Malit të Shenjtë të Sinait, ku Zoti i shpalli Moisiut 10 urdhëresat e tij, dhe ku ruhet edhe një testament i famshëm që quhet nga të krishterët ordotoksë si Testamenti i Aktinamene-së.

Ky testament ruhet në gërma kufike në lekurë sorkadheje,i vulosur me vulën profetike. Të krishterët e Egjiptit pretendojnë  për një dokument Profetik ku profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të) la një testament të shkruar.Në këtë testament shkruhet:”Nëse murgu i Sinait strehohet në mal, fushë, shpellë, luginë, shkretëtirë apo në tempull, atje do të jem dhe unë bashkë me të, dhe do ta mbroj nga çdo e keqe. Unë do t’i mbroj kudo qofshin në tokë apo ne det, lindje apo perëndim, në jug apo në veri. Prandaj duhet që t’i lenë të qetë sepse krahu i mëshirës është i shtrirë mbi ta”.

Ky testament, ruhet me fanatizëm nga të krishterët ortodoksë në atë manastir, që konsiderohet si më i vjetri në botë. Një histori e njëjtë, por me një realitet paksa të ndryshëm prane nesh, tregohet për një nga manastirët më të vjetër të ritit bizantin në Arbëri, Manastirin e Shën Joan Vladimirit.

Ai ndodhet pranë fshatit Shijon të Elbasanit, dhe është një nga manastiret më të vjetër jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë rajonin e Ballkanit. Historia e tij është shkurtimisht kështu:Gjon Vladimiri ishte Princ i Krajës. Ai u vra më 4 qershor të vitit 1016 në Prespë gjatë betejës kundër bullgarëve.

Pas vrasjes Kisha e shpalli shenjtor. Në fillim u varros në Krajë nga e bashkëshortja e tij Kosara.

Por perandori bizantin me origjinë bullgare Mihal Komneni, e zhvarrosi dhe e solli skeletin e tij në Durrës. Në vitin 1381 Karl Topia, që e konsideronte veten Mbret të Shqiptarëve, e zhvarrosi dhe e solli eshtrat e tij në kishën e vjetër të Shën Gjonit.

Edhe pse ishte katolik, Karl Topia e rindërtoi manastirin duke e bërë 4 herë më të madh. Në hyrje të manastirit Karl Topia vendosi stemën e tij dhe një dedikim të gdhendur në tre gjuhë, latinisht, greqisht dhe sllavisht. Në këtë mbishkrim thuhet “Karl Topia mbret i shqiptarëve e ndërtoi këtë manastir për lavdinë e tij”.

Shën Gjoni u shpall shenjt, dhe çdo 4 qershor në këtë manastir nisën që të kryheshin ritualet fetare. Më pas në këtë vend filluan që të zhvilloheshin edhe panairet. Panairi i Shën Gjonit, zgjaste një javë dhe frekuentohej nga pelegrinë që vinin nga i gjithë vendi dhe trojet e Ballkanit.

Shumë shpejt u shndërrua në qendrën më të madhe fetare, peshkopale dhe kulturore. Pra ashtu si Manastiri i Shën Katerinës në Malin e Sinait, që është kthyer në një urë pritësë per besimet e mëdha abrahamike, Hebraizimin, Krishtërimin dhe Islamin, edhe Manastiri i Shën Joan Vladimirit eshtë bërë një urë pritëse per popujt e ballkanit. Pra Elbasani ynë i vogël, mbart në vetvete vlera të mëdha shpirtërore. Shumë urime për festën miqtë e mi Ortodoksë!

Nje koment

  1. Pingback: 2zeeland