“Makinën e kam kyçur në shtëpi dhe ja kam hequr gomat”, qytetari në Elbasan flet për dështimin e protestës

Edhe në Elbasan si në të gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë ka dështuar protesta e paralajmëruar kundër rritjes së çmimit të naftës. Ditën e djeshme shoqëria civile i bëri thirrje qytetarëve që të fikin automjetet në orën 12:00 dhe në këtë mënyrë të protestojnë kundër vendimit të Bordit të Transparencës të ngritur nga Edi Rama i cili ditën e djeshme vendosi çmimin e naftës në 258 lekë për litër, nga 248 lekë që ishte.

Gjatë prononcimeve të shkurta për mikrofonin e “Fax News”, një ndër qytetarët e Elbasanit thotë se makinën e ka kyçur në shtëpi, madje ja ka hequr edhe gomat që mos i “prishet mendja për ta ndezur”.

Taksisti: “Nuk është 260 lekë nafta, 230 e marr unë. E marr në Maqedoni unë naftën”.

Gazetarja: Pra, ju po thoni që naftën shqiptarët të shkojnë ta blenë në Maqedoninë e Veriut?

Shoferi: “Ore të shkojnë ku të duan, ik mo…”

“Që nesër jam gati të dal në protestë. Makinën e kam mbyllur brenda në shtëpi. Biles makinës ja kam hequr edhe gomat që mos më çojë mendja që ta ndez. Populli ka vdekur nuk ka kush cohet më këtu në Shqipëri”, tha qytetari teksa lëviz me biçikletë.

“S’kemi gjë në dorë, nuk e fikim dot makinën, kemi halle kemi punë”, tha shoferi që nuk pranoi të protestonte.