Foto Arkiva

Makina përplas për vdekje adoleshentin që po lëvizte me biçikletë, 15-vjeçari ndërron jetë në spital

Një 15-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit, në orët e para të mëngjesit sot, si pasojë e një aksidenti rrugor mbrëmjen e kaluar.

Mbrëmë rreth orës 22:00, në aksin rrugor Hamil-Dërmënas, duke drejtuar automjetin tip “Audi” një 29-vjeçar ka përplasur 15 vjeçarin, banues në Hamil, i cili po udhëtonte me biçikletë.

Sipas policisë, shoferi i “Audi-t” u largua nga vendngjarja pasi përplasi të miturin, megjithatë arratia e tij nuk zgjati për shumë, pasi 29-vjeçari është arrestuar nga policia.

Njoftimi i policisë

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 29 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, pasi në datë 23.06.2022, rreth orës 22:00, në aksin rrugor Hamil-Dërmënas, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, ka përplasur shtetasin e mitur 15 vjeç, banues në Hamil, i cili po udhëtonte me bicikletë, dhe është larguar nga vendngjarja.

Shtetasi i mitur ka ndërruar jetë rreth orës 02:00 në spitalin e Fierit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”

/abcnews.al/