Pas 76 ditësh të vështira, nën masa të rrepta dhe karantinë totale, Wuhan fitoi betejën e tij me koronavirusin dhe sot qytetarët festojnë të lirë fitoren e tyre mbi këtë armik të rrezikshëm që shënon me qindra viktima. Wuhan tashmë është një qytet i rilindur dhe me një mësim më shumë, pas betejës së vështirë që përballoi me koronavirusin.
Qyteti i është rikthyer jetës normale ku rreth 97 përqind e bizneseve janë të hapura si bare, restorante, biznese, fabrika etj. Të vetmet që vijojnë të jenë të mbyllura janë shkollat dhe arsimi, dhe do të jetë Byroja e Arsimit ajo që do të vendosë hapjen e dyerve të institucionit.
Gazetari Edison Myrteza, që jeton prej vitesh në Kinë gjatë një lidhje për Report TV, tha se në vend ende vijojnë kontrollet dhe skanim i qytetarëve dhe aktualisht janë 2000 persona të infektuar në spital, ku 181 janë në gjendje kritike. Nëse do të ketë një rritje të numrit të të prekurve apo të atyre që humbën jetën në vend, atëherë do të zbatohet plani B që përfshin një izolim të dytë të qytetit.
“Në Wuhan sot pas 76 ditëve në karantinë, ky qytet ka dalë i rilindur dhe me festë nga ditët e vështira që ka kaluar. Por ende mbi 2000 persona marrin shërbim mjekësor në spital dhe 181 vijojnë të jenë në gjendje kritike. Masat kanë qenë shumë të forta që vuri qeveria, por ato kanë dhënë rezultat. Ka edhe një plan B, do të ketë një skanim, kontroll, nuk është i gjithë qyteti totalisht i hapur, nëse do të ketë sërish të infektuar që vijnë në qytetet e tjera, apo nga jashtë.
Megjithëse edhe unë nuk kam shumë besim tek këto shifra, pasi mendohet se ai mund të jetë edhe me i lartë.Jeta ka filluar normalisht në Wuhan, ka nisur të hapen baret, restorantet, bizneset e 97 përqind e tyre janë hapur. Fabrika më e madhe e maskave ka nisur punën 100 përqind për prodhimin e tyre, jo vetëm për Kinën por edhe për të gjithë botën.
Nuk ka nisur ende hapja e shkollave, arsimi do të vijojë të jetë i pezulluar, do të jetë Byroja e Arsimit ajo që do të vendosë hapjen e dyerve të institucioneve të arsimit, sigurisht duke zbatuar të gjitha rregullat”, tha Myrteza. Por i pyetur se çfarë u përdor për trajtimin e pacientëve të infektuar nga koronavirusi në Kinë, gazetari Myrtezaj tha se janë përdorur shumë medikamentet tradicionale si sherebela, por gjithashtu janë përdorur dhe drogat e lehta.
“Mbi 80% e medikamenteve që përballuan koronavirusin në Kinë, kanë qenë medikamente tradicionale kineze. Zvicra ka pasur ndikim më të madh drejt medikamenteve tradicionale kineze, sherebela është përdorur shumë duke e përgatitur me medikamente të tjera.
Ka pasur edhe përdorim të drogave të lehta. Sherebela ka qenë mbretëresha e medikamenteve të përdoruara në Kinë për pacientët e prekur me koronavirusit”, u shpreh Myrteza. Gazetari Myrtezaj tha gjithashtu se ka një përplasje deklaratash mes SHBA dhe Kinës lidhur se ku shpërtheu koronavirusi dhe duket se çështja do të zgjidhet në Gjykatën e Hagës.
“Kanë filluar edhe deklaratat dhe kundër deklarata me Kinës zyrtare dhe SHBA për debatin se ku ka shpërthyer virusi. Do të jetë Gjykata ndërkombëtare e Hagës do të vendosë nëse virusi ka shpërthyer nga Wuhan apo jo”, tha Myrteza