Luçiano Boçi takim me banorët në Fushë-Mbret: Ekonomia është rrënuar, qeveritarët sundojnë qytetin

Kandidati i opozitës, Luçiano Boçi është takuar këtë të mërkurë me banorët e Fushë-Mbretit në Elbasan ku diskutoi mbi problematikat që ka zona dhe komuniteti në një prej lagjeve më të populluara të qytetit.

Boçi tha se qëllimisht Bashkia Elbasan e ka konsideruar zonën si periferike pasi nuk ka investuar, dhe nuk ka pasur asnjë vëmendje nga ana e qeverisjes vendore.

“Gjatë 16 viteve qeverisje i ka trajtuar dhe i ka vene vulën e periferisë, jo nga ana gjeografike. Aspak! Kjo çështje nuk ka lidhje me gjeografinë e një qyteti. Por ato janë periferike sepse janë të painvestuara. Në gjithë këto vite nuk ka asnjë kujdes apo vëmendje nga ana e qeverisë vendore. Elbasani është në agresion të plotë ekonomik, social, njerëzor dhe kulturor. Pse themi që është në një agresion të tillë? Sepse qyteti i Elbasanit e ka humbur shkëlqimin e tij nga një shkallë e larte e varfërisë, ekonomi e rrënuar”, u shpreh Boçi.

Sipas kandidatit të opozitës, Elbasani është qyteti më i persekutuar ekonomikisht nga qeveria.

“Pagat qytetarëve në Elbasan janë më të ulta se qytetarët e Peqinit, madje edhe të Librazhdit. Elbasani është një nga 5 bashkitë më të varfëra në Shqipëri. Është qarku i dyte me i varfër në Shqipëri. Është qyteti i parë që ka marrë më pak investime se edhe Përmeti. Kjo është situata e Elbasanit e kapur prej fyti nga disa qeveritarë që sundojnë lagjen tuaj, qytetin tuaj madje edhe Shqipërinë”, deklaroi Boçi.