Llatja: Vijojmë me urbanizimin e qytetit edhe në lagjet periferike, duke i ardhur në ndihmë 5000 banorëve

Bashkia e Elbasanit ka nisur një investim të madh në 2 lagjet periferike të qytetit të Elbasanit, duke bërë të mundur shtrimin e më shumë se 9000 metra katrorë sipërfaqe me asfalt, të cilat do t’i vijnë në ndihmë 5000 banorëve të dy rajoneve periferike në qytet.

Ky investim po realizohet nga Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me FSHZH (Fondi Shqiptar i Zhvillimit), në kuadër të projektit për riasfaltimin e rrugëve dhe përmirësimin e shtresave asfaltike.

Gjatë një inspektimi të punimeve, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, si edhe kryetarja e PS në Elbasan Ermira Uriçi, pohoi se “kemi nisur të shtrijmë urbanizimin dhe në lagjet më periferike të Elbasanit. Këtu jemi në lagjen “Haxhias”, e cila ka qenë një nga lagjet më problematike të Rajonit Nr 5, nga lagjet fundore, e cila lidhet me lagjen “Vullnetari”.

Janë dy lagje kryesore në Elbasan, me një popullsi të dendur, por me problematika të mëdha në infrastrukturë. Që kur janë ndërtuar pallatet e para që nga viti ‘72 dhe deri në ‘84 që kanë përfunduar këto lagje kanë qenë lagje problematike,  pasi kanë qenë pa zhvillim infrastrukturor dhe me një dendësi të madhe banesash”.

Sipas z. Llatja “ky  investim është një premtim i mbajtur nga ne, janë gati 2000 metra katrorë asfalt që po hidhen vetëm në lagjen “ Haxhias”, në Rajonin Nr 5,  por kemi bërë investime të tjera vet, pasi i gjithë blloku i lagjeve “Vullnetari” dhe “Haxhias”, ka qenë problematik sa i përket infrastrukturës rrugore por ne kemi mbyllur të gjitha problematikat, në të gjitha lagjet. Ne kemi nisur në Elbasan një projekt për rivitalizimin e të gjithe zonave informale të qytetit, por kryesisht atyre lagjeve që janë konsideruar si periferike”, tha kryebashkiaku.

Ai shtoi se “lagja e Banesave edhe më një popullsi të madhe është konsderuar si lagje periferike, por ne nuk e kemi lënë pas dore. Kemi kryer projekte të ndryshme në këto lagje, mbjellje pemësh, rehabilitimin e  sipërfaqeve të gjelbra, shtrim të akseve kryesore të rrugeve, ndërsa tani po ndërhyjmë në mënyrë të drejtëpërdrejtë shesheve të pallateve, duke i përmirësuar jetën gati 5000 banorëve të qytetit të Elbasanit. Është një investim i madh që po kryhet, tashmë kemi zgjidhur problematikat kryesore në qendër të qytetit, dhe po shtrihemi në lagje. Ky është projekti ynë, kemi kryer investime në lagjen “5 Maji”, tashmë po ndërhyjmë në lagjet e qytetit, dhe në sheshe pallati.

 Deri më tani janë rehabilituar 90.000 metra katrorë asfalt, ndërsa parashikojmë që deri në muajin janar të vitit që vjen të shtrojmë 73 mijë  metra katrorë asfalt të hedhur në të gjithë qytetin e Elbasanit por edhe në zonat rurale.

  Jemi përpjekur të mbajmë një përpjestim të drejtë si në qytet edhe në zonat rurale. Investimet nuk do të përfundojnë këtu, ne po planifikojmë investime të tjera kohë pas kohe, sa i përket ndriçimit led, pasi tashmë kemi bërë shumë ndërhyrje për sistemimin, rehabilitimin  si dhe shtrimin e sipërfaqeve të gjelbërta”, tha kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja.

Drejtuesi Politik i Qarkut Damian Gjiknuri, pasi ka vlerësuar punimet dhe ecurinë, ka pohuar se “ajo çka po bën bashkia e Elbasanit është një transformim tërësor të kësaj lagjeje është super e nevojshme, pasi ishte një lagje me shumë problematikë në infrastrukturë. Janë një sërë  programesh të riasfaltimit që po bën Bashkia në bashkëpunim me qeverinë me FSHZH, nuk janë pak 70 mijë metra katrorë që do të hidhen për të prekur pikat kryesore ku investimi ka qenë i nevojshëm.

 Është një investim shumë i mirë për zonën dhe prek shumë sipërfaqe të mëdha, e përgëzoj bashkinë për punën e mirë, me projektet dhe fondet që ka mundur të sigurojë për komunitetin. Ky është Elbasani, dhe këto janë prova që këto investime do të përmirësojnë jetën e tyre, për ta bërë këtë lagje urbane, nga ajo që ka qenë, ndaj bashkia meriton një vlerësim.

Ermira Uruçi, kryetare e Partisë  Socialiste e vuri theksin tek premtimet e realizuara nga ana e Bashkisë ndaj banorëve, kërkesat e të cilëve janë realizuar në kohë.

Në sinkron Bashkia e Elbasanit po kryen një sërë investimesh në infrastrukturë në shumë fshatra të Njësive Administrative të Elbasanit.