Kryetari I Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja në një takim me banoret e lagjes 5 Majika nënvizoi se në këto 4 vite janë bërë punë që nuk ishin bërë në 30 vite. “Ne kemi bërë punë këtë mandat. E nisëm me rrugët kryesore, e sistemuam të gjithë Elbasanin, lagjet kryesore dhe në periferi. Ne nuk po lëmë sektor pa investuar, nuk po lëmë fshat pa ndërhyrë, nuk po lëmë njësi administrative pas dore. Pavarësisht se kemi pasur shumë sfida të përbashkëta, si tërmeti, si pandemi, ne kemi qenë bashkë. Kemi qenë bashkë në investime, për të përmirësuar cilësinë e jetesës të gjithë banorëve tanë. Nuk i kemi bërë dot të gjitha ato që duheshin bërë për 30 vite ama në këto 4 vite kemi bërë një sërë punësh. Kemi shtruar mbi 100 mijë m2 asfalt në vit, kemi shtuar mbi 10 mijë m2 lulishte, kemi mbjellë mbi 100 mijë pemë në Elbasan. Kemi shtuar sipërfaqet tona në shkolla me mbi 7000 m2 për të gjitha klasat që ishin me 2 turne. Ne po ndërhyjmë gjithandej, po bëjmë palestrat e shkollave, po bëjmë terrenet sportive, po mbështesim të rinjtë për sportet, po mbështesim rininë me qendrën rinore”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i PS Gjiknuri u shpreh se vota më 14 maj është dhe mbështetje për politikat sociale të marra nga qeveria “Rama”. “Më 14 Maj ne duhet ti themi pro edhe politikave të Qeverisë “Rama”. Ne kemi filluar politikën e rritjes së pagave edhe pagës minimale. Ne do ta çojmë pagën mesatare vitin tjetër në 900 Euro. Pse them se rritja e pagave do të bëjë që të rriten shanset për të rinjtë dhe të rejat që punojnë në vendin tonë? Ky është një investim për të ardhmen. Prandaj më 14 Maj ne i japim mbështetje edhe kësaj politike. Nga ana tjetër rritja e pagës dhe pensioneve do të rrisë dhe fondin e sigurimeve shoqërore dhe fondin e pensioneve, do të çojë në rritjen e pensioneve. Shqipërisë i është kthyer dinjiteti dhe Elbasani, unë e kam bindje, ka të ardhme. Të gjitha këto do të bëhen të mundura me vazhdimësinë e rrugës që kemi nisur, bashki e Partisë Socialiste dhe qeveri e Partisë Socialiste”, deklaroi Gjiknuri.
Kreu i Bashkisë u shpreh se në Elbasan po ndërtohet një zhvillim i qëndrueshëm. “PD është hera e dytë që nuk futet në zgjedhje, dhe duan të marrin pushtetin, të marrin bashkinë, të sjellin Sali Berishën prap në pushtet. Jo mor jo, ne po krijojmë atë perspektivën për Elbasanin, po krijomë atë qëndrushmëri ekonomike Elbasanit, dhe prandaj bashkë me qeverinë shqiptare, bashkë me Damianin, Evisin, me kryeministrin Rama po investojmë në projektet tona strategjike, siç është bypassi I Elbasanin që na jep një strategji ekonomike në të gjithë fushën e Elbasanit, zgjerimi I Korridorit 8, shëtitorja buzë lumit Shkumbin që më në fund do të kemi një shëtitore fanstastike buzë lumit, në ajër të pastër. Dhe Automoto Parku I Elbasanit që është një nga polet zhvillimore të Elbasanit. Kemi për të pasur një zhvillim të qëndrueshmë në Elbasan me përfundimin e këtyre investimeve që kemi nisur”, theksoi Llatja.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi, njëherësh dhe deputete e Elbasanit u shpreh se vota për Gledi Llatjen është garanci për vijimin e investimeve.
“Kanë mbetur pak ditë dhe më 14 maj të gjithë do të shkojmë drejt kutive të votimit për të votuar për Gledin dhe PS, por vota për Gledin është votë për gjithsecilin prej nesh, nuk është votë vetëm për Gledin. Vota për Gledin është votë për zhvillimin e Elbasanin, është votë për vazhdimin e punëve, për të ecur përpara, është votë për rikonstruksionin e rrugëve, ashtu siç është shtruar ky shesh të shtrohen të gjitha sheshet që kanë mbetur edhe në periferi dhe në zonat rurale dhe njësitë administrative. Vota për Gledin është edhe votë për arsimin, sepse Gledi është mbështetja më e madhe për mua si ministre e Arsimit, por edhe për ju qytetarët, për të gjithë prindërit, për të gjithë mësuesit. Sepse Gledi i ka dhënë një mbështetje shumë të madhe arsimit këto 4 vjet”, tha Kushi.