Kryetari i Bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja, ka zhvilluar një takim pune në Shirgjan, së bashku me kryetarin e Njësisë Administrative dhe kryetarët e fshatrave të kësaj Njësie, për të dëgjuar nga afër nevojat dhe sfidat që hasin banorët e zonës.
Shirgjani njihet si zemra bujqësore e Elbasanit, me prodhimtarinë më të lartë në rajon, ndaj vëmendja për të është thelbësore. Gjatë takimit, u theksua rëndësia e përmirësimit të kanaleve vaditëse dhe kulluese, si dhe nevoja për mbështetje të vazhdueshme për fermerët, që janë shtylla e zhvillimit ekonomik lokal.

“Kjo zonë ka potencial të jashtëzakonshëm dhe meriton investime të qëndrueshme. Bashkëqeverisja me fermerët nuk është vetëm parim, por rruga më e sigurt për të sjellë zgjidhje konkrete për çdo problem,” u shpreh kryetari.
Në përfundim, ai theksoi se Bashkia Elbasan do të vijojë të jetë pranë çdo fermeri, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm në Shirgjan dhe në të gjithë territorin e bashkisë.