Gjatë një takimi me banorët e lagjes “Shënkoll” të Rajonit Nr.2 për të bashkëbiseduar mbi investimet e kryera në zonë dhe transformimin e Elbasanit, kryetari i bashkisë Gledian Llatja në praninë edhe të deputetit Florenc Spaho, kanë folur për punën që është bërë dhe do të vazhdojnë të bëhen si në qytet ashtu edhe në fshat pa u ndalur në asnjë moment.
Duke bërë një përmbledhje të punës së bërë gjatë këtyre 4 viteve z. Llatja e vuri theksin tek problematikat që kishte ky rajon më kryesoret kanalizimet të cilat ishin çështja kryesore ku edhe u realizuan ndërhyrje në investime. “Kur kaloje tek shinat e trenit ishte sikur kishe kaluar vijën e verdhë, dhe kjo në një zonë që është edhe pjesa zhvillimore e qytetit. Ndaj ne që ditën e parë që erdhëm në bashki filluam të punojmë, pavarësisht tërmetit dhe pandemisë, por edhe krizës financiare që kishim në bashki, një sërë borxhesh të akumuluara nga komunat, si edhe një sërë detyrimesh të prapambetura, dhe pasi stabilizuam financiarisht bashkinë filluam nga punët dhe në infrastrukturë. Investime në rrugë, në kanalizimet e ujrave të zeza, të pallateve me termoizolim bashkë me ndihmën e qeverisë”.
Duke e pasur në prioritet edhe turizmin dhe duke e cilësuar si një nga projektet më kryesore z. Llatja vijoi duke thënë se “ne nuk jemi fokusuar vetëm tek investimet në urbanistikë, por edhe zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e qytetit, me ndihmën e qeverisë po bëjmë projekte të mëdha, Auto Moto Parkun, bypassin e Elbasanit, Korridorin – 8, por po shohim edhe projektet tona të vogla. Kemi nisur një projekt, urbanizimin e zonave informale. Ndoshta dukej e vështirë por kemi mbaruar bulevardin kryesor, lulishtet në qytet, dhe tani jemi fokusuar totalisht tek zonat informale”.
Më konkretisht sipas kreut të bashkisë këto problematika konsistonin tek rrugët, kanalizimet e ujrave të zeza, ndriçimi dhe rehabilitimi i strukturave arsimore. “Ajo që ne synojmë është të përmirësojmë cilësinë e jetesës së të gjithë banorëve, edhe në qytet edhe në fshat. Po bëjmë punë që duhet të ishin bërë para shumë vitesh, që pas viteve 1992, si në qytet edhe në fshat. Gjysma e buxhetit po shkon në fshat, pasi ka probleme, dhe ne po i bëjmë. Po përmirësojmë nga viti në vit infratrukturën tonë rrugore, po urbanizojmë zona që janë totalisht periferike si lagja “Haxhias”, ndaj ne do të vazhdojmë nga puna pavarësisht këtyre vështirësive që kemi pasur në këtë mandat të parë, nuk kemi ndaluar asnjëherë duke mbyllur problematikat e të gjitha lagjeve që kemi në qytet, por edhe fshatrave të mëdhenj. Ne këtë dimë të bëjmë, ta çojmë investimin aty ku ka nevojë qytetari, dhe të përmirësojmë infrastrukturat arsimore. Dy shkolla në vit kemi kryer rikonstruksion total, kemi në rikonstruksion shkollën “Onufri” ndërsa do nisim shkollën “Naim Frashëri” shumë shpejt, një sërë projektesh që kemi pasur i kemi realizuar pavarësisht problematikave. Ne do të vazhdojmë me punë dhe projekte, do të ndryshojmë Elbasanin dhe do ta rrisim atë ekonomikisht. Kryeministri Edi Rama na mbështet dhe ka një vizion për zhvillimin e Elbasanit, zhvillimin e kalasë, turizmit dhe Auto Moto Parkun. Bashkë me kryeministrin, që na mbështet ne do të bëjmë projekte të mëdha për Elbasanin”, tha z. Llatja.
Nga ana e tij deputeti Spaho pasi ka parashtruar një sërë investimesh që janë kryer në Rajonin nr. 2 shprehu besimin e plotë se edhe në 4 vjeçarin e ardhshëm bashkia në drejtimin e kryetarit Gledian Llatja do të rrisë investimet duke përmirësuar cilësinë e jetesës si edhe ekonominë në Elbasan.