Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja u prit në një takim nga banorët e lagjes “Skëndërbej” duke u ndalur në rrugën “Xhemal Voci”. Banorët kanë ndarë me kryetarin e bashkisë problemet dhe shqetësimet e tyre të përditshme. Teksa ka diskutuar me banorët Llatja ka adresuar në institucionet përkatëse ato problematika që nuk janë kompetencë e bashkisë së Elbasanit ndërsa është ndalur më tej në punët publike:
“Ishte një problematikë e kahershme kjo e juaja, e kanalizimeve të ujërave të zeza edhe duhej bërë prej kohësh. Mua më bëhet qefi që edhe ju jeni të kënaqur që tek faza e parë. Ne tani po fillojmë me sistemimin e komplet rrugës që të vazhdojmë pastaj me asfaltimin e të gjithë degëzimeve të rrugës “Iljaz Kosova”. Tashmë kemi dhe zona të tjera, po vazhdojmë një sërë rrugësh, gjithandej ne po bëjmë punë.
Po bëjmë punë edhe do të vazhdojmë edhe 4 vite të tjera t’i kushtojmë vëmendje maksimale të gjithë problematikave. Faleminderit edhe ju që keni besim edhe na vlerësoni se realisht është pozitive.”
Konsultimi me banorët është praktikë e përditshme e kryetarit të bashkisë së Elbasanit i cili ka zgjedhur të qeverisë qytetin bashkë me qytetarët.