Llatja takim me banorët e Labinot Fushë: Investimet në fusha të ndryshme janë prioriteti ynë. Brenda vitit do investojmë në…

Bashkia e Elbasanit nisi, si çdo fund viti, një nga proceset më të rëndësishme të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, i cili organizohet tashmë prej më shumë se një dekadë dhe që i paraparin miratimit të buxhetit të bashkisë për vitin pasardhës.

Takimi i radhës i Buxhetimit me Pjesëmarrje ka qenë në Labinot-Fushë ku banorët vendosën përparësitë e tyre mbi investimet e vitit të ardhshëm. Gjatë këtij takimi, kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja ka qenë i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri. Kryetari i Bashkisë e ka vënë theksin së pari tek investimet që janë relizuar në këtë Njësi Administrative kryesisht në urbanistikë gjatë këtij viti, por edhe për prioritetet që pritet të investohen gjatë vitit 2023.

 “Edhe pse nuk e kemi pasur një periudhë të lehtë këtë mandat, për shkak të pandemisë por edhe luftës në Ukrainë, e cila ka ndikuar edhe tek ne, ne kemi punuar shumë, edhe për Njësinë Administrative të Labinotit Fushë. Vetëm gjatë këtij viti ne kemi përfunduar me asfalt rrugën në Griqanin e Poshtëm, kemi punuar me rrugët e arave, me pastrimet e kanaleve, sistemime, rregullime. Ne po vazhdojmë të punojmë, kemi pasur një vonesë nga KFV për rehabilitimin e kanaleve të zeza të zonës së Menglit, dhe ujësjellësit të qytetit, por jam i bindur se brenda dhjetorit, fillojnë investimet në sistemimet kryesore.

 Ne kemi nisur një projekt me rehabilitimin e rrugëve në qytet dhe fshat, në ato rrugë të cilat kanë vite që nuk janë kryer investime, por ne kemi një vëmendje të shtuar për Njësitë Administrative dhe për qytetin”, tha z. Llatja.

Sipas tij “Labinoti Fushë është një zonë tipikisht urbane, pasi është afër qytetit, ndaj në këtë zonë është hapur projekti i madh, zgjerimi i Korridorit të 8 nga fundi i fshatit Labinot Fushë, deri në Librazhd, një projekt i madh, si edhe projekti i bay passit të Elbasanit, si një projekt shumë lehtësues për të gjithë qytetarët elbasanas. Ne po arrijmë me mbështetjen e qeverisë shqiptare që një pjesë të madhe të problematikave tona t’i zgjidhim. Kjo zonë ka shumë pemtari, ndaj kemi një projekt me italianët që bashkia bashkë me fermerët të krijojnë një organizatë, një bashkim i fermerëve, ku secili fermer të jetë aksionier, me qëllim për të pasur një treg të madh të përbashkët dhe me cilësi. Ne nuk e kemi parë asnjëherë Elbasanit vetëm tek zhvillimi urban, por kemi dashur edhe po e shohim edhe për një zhvillim të madh ekonomik të qytetit, ndaj po ecim me projektet e mëdha zhvillimore, që është korridori 8, bay passi, si edhe për një zhvillim ekonomik tonin, që është Automoto Parku i Elbasanit i cili po bëhet konkret”.

Duke u ndalur edhe tek disa problematika, kryebashkaiku Llatja theksoi se “ka edhe problematika, siç është qendra shëndetësore, dhe do ta realizojmë këtë, por duhet të jemi bashkë me njëri-tjetrin, pasi jo të gjitha i kemi bërë ato që kemi dashur të bëjmë, por po mbyllim problematika që nuk ishin mbyllur prej shumë vitesh, siç është rasti i lagjes “5 Maji”,  po kryejmë investime që nuk ishin kryer në vitin ‘94, gjithashtu edhe tek lagja “Vullnetari” dhe “Haxhias”, investime që nuk ishin kryer që në vitin 1988. Gjithashtu edhe rruga në Griqan, që ne investuam vitin e kaluar, pasi ne kemi vizionin për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve”.

Edhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit Damian Gjiknuri e vuri theksin tek investimet që janë kryer në këtë zonë, duke pohur edhe një herë se Elbasanit nuk do ti mungojë mbështetja nga qeveria.

“Vërtet qyteti ka marrë më shumë vëmendje në vitet e mëparshme, por peshën më të madhe në buxhetin e investimeve këtë vit mendoj se do ta marrë fshati”, tha Gjiknuri.

Në fund pasi përcaktojnë prioritetet, banorët votojnë për dy apo tre projektet më të rëndësishme dhe që prekin një komunitet më të gjerë. Ndër prioritet që Bashkia e Elbasanit ka ndërrmarë për të investuar në Njësinë Administrative Labinot Fushë gjatë vitit 2023 janë: Rikonstruksion i ujësjellësit Labinot-Fushë, rikonstruksioni i shkollës së mesme Labinot-Fushë. Rikonstruksion dhe asfaltim i rrugës Godolesh, pastrimi i Përroit të Larit Mengel dhe i gurrës së Labinotit. Pastrim i shtratit të përrejve në Xibrakë (Graboz+Bahiti). Rikonstruksion i rrugës së varrezave Griqan i Poshtëm, ndërtim i ambulancës në fshatin Mengël.

Rehabilitimi i rrugës së lagjes “Isak” Labinot-Fushë. Riparime të rrugëve të arave në Xibrakë, Griqan i Poshtëm dhe Godolesh, rikonstruksion i rrugëve të lagjes dhe pompa e ujit Mengel, etj.