Kryetari i bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut z. Damian Gjiknuri, Prefektja znj. Majlinda Perriu si dhe kryetarja e PS znj. Ermira Urupi ka qenë tek Qendra Komunitare Rome për të gëzuar fëmijët e kësaj qendre me dhuratat e Vitit të Ri.
Tashmë është kthyer në traditë që kreu i bashkisë të festojë së bashku me fëmijët e këtij komuniteti duke u argëtuar pafund nën lojërat dhe numrat që kishin përgatitur fëmijët dhe në fund u shpërndan edhe dhurata për të gjithë të pranishmit.
Në fjalën e tij z. Llatja shprehu falenderimet e tij për stafin për punën që zhvillohet në këtë qendër si dhe shpalosi planet e mëdha që bashkia Elbasan ka për fëmijët dhe për të ardhmen e tyre. “Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu mes jush, tashmë është kthyer në një traditë që ne të takohemi dy apo tre herë në vit për të bërë aktivitete të ndryshme.
Përgëzoj stafin për punën e palodhshme me këta fëmijë. Kjo është një qendër për të gjithë lagjen ku ofrohen edhe shërbimet përkatëse gjatë gjithë kohës por edhe për të ndihmuar prindërit që të kenë mundësi më shumë të punojnë por edhe për të qenë ju bashkë me njëri-tjetrin”- u shpreh z. Llatja.
Më tej kryebashkiaku u bëri të ditur të fëmijëve se bashkia është duke punuar për një projekt të madh ku përfitues do të jenë po fëmijët pasi për ta po ndërtohen disa ambiente më të mëdha ku do të kenë hapësira të mjaftueshme për të zhvilluar aktivitetet e tyre.
“Viti i ri na pret me sfida të reja dhe vitin që vjen ne do rikonstruktojmë ambientet pranë kolaudimit ku janë hapësirat më mëdha dhe më të bukura ku ju do të kaloni kohë cilësore me njëri-tjetrin. Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për fëmijët, për t’ju ardhur në ndihmë familjeve, sidomos atyre në nevojë si dhe t’i kushtojmë rëndësi arsimimit dhe të mos kemi diferencime qendra me periferinë”- tha kryetari.
Në fund Llatja e mbylli me urimin për të gjithë ‘Gëzuar Festat’ dhe u largua me premtimin se vitin e ardhshëm fëmijët do të festojnë në një qendër me ambiente më të mira për të gjithë fëmijët e komunitetit romë dhe ata në nevojë