Partia Socialiste ka çelur sot zyrtarisht fushatën elektorale për bashkinë e Elbasanit
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja në fjalën e tij tha se: Ju falenderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen në këtë takim. Kjo e sotmja është një ditë shumë e veçantë! Është dita kur ne hapim sëbashku një kapitull të ri! Kapitullin e programit tonë për Elbasanin 2030!
Një qytet që zhvillohet ekonomikisht në mënyrë të pandalshme! Një qytet me standard evropian, ku çdokush e gjen veten! Një vend atraktiv për të jetuar dhe punuar! Një destinacion turistik për vizitorë dhe hapësira të reja për biznesin!
Një nyje e rëndësishme lidhëse ekonomike dhe infrastrukturore në rajon. Aty ku harmonizohen zhvillimi bujqësor, blegtoral dhe eko-turistik me atë infrastrukturor dhe industrial. Ky është vizioni ynë për Elbasanin 2030!
Në këto katër vite të mandatit që po mbyllet, kemi bërë jo pak për të ndryshuar Elbasanin. Mbi gjithçka, besoj fort se jemi angazhuar maksimalisht për t’i shërbyer e trajtuar me dinjitet çdo qytetar, pavarësisht nëse ka votuar apo jo për mua dhe Partinë Socialiste, katër vite më parë.
39 mijë elbasanllinj na besuan në rrugëtimin tonë. Jam krenar se jo vetëm nuk i kemi zhgënjyer në këto vite por sot jemi garancia e tyre e vetme për të parë edhe më shumë punë të mira për qytetin.
Beteja elektorale e 14 Majit është një mundësi për t’iu shërbyer më tej edhe atyre që nuk më kanë votuar më parë, por nga kontakti i vazhdueshëm me ta në këto vite, e kanë kuptuar se e duam dhe punojmë njësoj çdo ditë “me mish e shpirt” për qytetin tonë.
Elbasani do të vijojë të mbështetet në zhvillimin policentrik, me një shpërndarje gjithëpërfshirëse të zonave të banimit dhe funksioneve publike, në të gjithë territorin e bashkisë. Kjo do të ndikojë direkt në krijimin e sinergjisë së fshatit dhe qytetit, duke sjellë zhvillimin e Njësive Administrative dhe afrimin e shërbimeve lokale më pranë çdo banori të bashkisë.
Ne duam ta bëjmë Elbasanin një qytet ku të gjithë të rinjtë dhe të rejat të gjejnë dhe shohin të ardhmen e tyre. Zhvillimet infrastrukturore dhe projektet inovative, do të vazhdojnë më tej për të krijuar një mjedis tërheqës me më shumë mundësi punësimi dhe jetë të pasur social/kulturore.
Ne duam të nxisim më tej klimën pozitive ndaj biznesit. Përmes urbanizimit, efikasitetit të burimeve, nxitjes së turizmit dhe agroturizmit, bujqësisë produktive dhe zhvillimit të industrive bashkëkohore, do të krijojmë një ekonomi konkuruese që do të rrisë ekonominë familjare.
Duke e bërë çdo qytetar ta shohë si pronë të veten çdo investim publik në qytet, ne do mund të kemi hapësira publike të sigurta, të shfrytëzueshme, të gjelbra dhe miqësore.
Projekti ynë për Elbasanin 2030 garanton përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së jetesës së qytetarëve. Strehimi i përshtatshëm, aksesi i barabartë për të gjithë ndaj ujit të pijshëm dhe shërbimeve të kanalizimeve. Akses i barabartë për të gjithë në shërbime cilësore në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, lëvizshmëri e transport, energji dhe cilësi të ajrit.
Elbasani 2030 është një qytet që parandalon dhe eleminon çdo formë diskriminimi me bazë gjinore, fetare, aftësie fizike/mendore apo edhe përkatësie sociale”- u shpreh Llatja.