Llatja: Rifillon aksioni i pastrimit në Krastë

Kryetari i Bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja së bashku me Agjencinë e Pyjeve dhe Mjedisit, ka rifilluar aksionin e pastrimit në Krastë. Ky aksion është pjesë e një nisme të nisur kohë më parë, ku strukturat e bashkisë, Këshilli Rinor dhe qytetarët e Elbasanit po kontribuojnë çdo ditë për të pastruar këtë zonë.

“Ne po punojmë që Krasta, si mushkëria jonë kryesore, të jetë e pastër dhe e mbrojtur. Puna për pastrimin do të na përgatisë për periudhën e dimrit dhe sezonin e mbjelljeve që do të nisë në dhjetor me energji të reja,”  u shpreh kryetari.

Ai falënderoi veçanërisht punonjësit dhe të rinjtë që janë bashkuar në këtë iniciativë, duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve të kujdesen për pastërtinë e zonave publike dhe pyjore.

Aksioni i pastrimit në Krastë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe promovimin e Krastës si një destinacion të pastër e të shëndetshëm për të gjithë qytetarët e Elbasanit.