Llatja; Rehabilitimi i tre rrugëve në Rajonin 6, një tjetër premtim i mbajtur        

Rajoni nr 6 një nga zonat me të mëdha informale në bashkinë e Elbasanit, është kthyer në kantier ndërtimi. Njëkohësisht bashkia Elbasan po ndërhyn në rehabilitimin e 3 rrugëve “Koco Brisku”, “Ibrahim Berania” dhe ” Ndricim Duraku”.

Punimet i ka  inspektuar kryetari i Bashkisë Gledian Llatja i shoqëruar nga numuri dy i PS Damian Gjiknuri si edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.

Duke bërë një paraqitje të punimeve që po realizohen në këtë rajon, z. Llatja tha se “janë 200 familje të cilat përfitojnë drejtëpërdrejtë nga këto investime që po bëjmë”. Janë rreth 750 metra lineare rrugë e cila po rehabilitohet totalisht. Llatja shtoi se “po ndërhyjmë në të treja këto rrugë si edhe me segmentet e vogla që lidhen me banesat me qëllim që të përmirësojmë cilësinë e jetës së shtëpive të banorëve”.

Duke u ndalur edhe tek problematikat që kanë pasur zonat informale në qytet  Llatja shtoi se “kemi bërë ndërhyrje të vazhdueshme, Rajoni Nr 6 si edhe lagja “5 Maji” kanë problematikat kryesore me kanalizimet e  ujrave të zeza, me infrastrukturën e  rrugës, ndriçimin rrugor, ishte një zonë e qytetit totalisht e paformalizuar.

Në programin tonë që kemi për normalizimin e zonave informale në të gjitha periferitë e Elbasanit tregon që ka sjellë një impakt shumë të mirë tek të gjithë banorët. Ne do të vijmë shpesh në lagjen “5 Maji”, sepse kemi shumë punë akoma, po vazhdojmë me infrastrukturën jo vetëm në “5 Maji”, por në të gjitha zonat informale, ashtu si ishim edhe në lagjen ” Haxhias” tek rruga ” Theofan Popa”, të cilat do të shndërrohen në lagje periferike model të qytetit të Elbasanit.

Ky është qëllimi jonë të punojmë çdo ditë. Të tjerët vazhdojnë llafet ne vazhdojmë punën, nuk kemi pushuar asnjëherë. Para një viti e gjysme me deputeten Evisin ne i dhamë fjalën banorëve dhe e mbajtëm për ndërhyrjen në këtë zonë dhe në infrastrukturën rrugore. Ne për këtë jemi, bëjmë punë në vazhdimësi, kemi shumë punë të tjera për të bërë dhe do të vazhdojmë përpara”, përfundoi kreu i Bashkisë Elbasan.