Teksa shpalosi vizionin e tij për drejtimin e Elbasanin dhe listën e gjatë të projekteve, kryebashkiaku Gledian Llatja tha se për të realizuar të gjitha këto është e nevojshme një mbështetje masive për PS më 14 maj. Llatja nënvizoi se Vota për PS, do të jetë përkrahja më e madhe për projektet zhvillimore.
“Të gjithë këto punë të mira nuk bëhen dot vetëm. Konkretizimi i këtij projekti të madh kërkon që Bashkia e Elbasanit jo vetëm të drejtohet nga Partia Socialiste dhe të kemi këshillin Bashkiak në shumicë mbështetëse, por dua edhe mbështetjen e madhe të qeverisë dhe të mazhorancës socialiste për të vazhduar gjithë këto projekte të mëdha. Kjo është ajo çka ne duam të bëjmë në 14 maj, t’i themi të gjithë Shqipërisë se Elbasani nuk ndalet. Vota jonë për PS , do të jetë përkrahja më e madhe për projektet zhvillimore , do jetë përkrahja më e madhe për të gjithë mbështetjen që na është dhënë, por dhe për të ardhmen e sigurtë të Elbasanit dhe të projekteve tona zhvillimore. Unë jam i bindur se me kryeministrin, me Damianin, me Evisin, me deputetët, me të gjithë ne bashkë, në këtë 4-vjeçar, do të bëjmë punë të mira për Elbasanin, do të vazhdojmë zhvillimin e tij, do të vazhdojmë zhvillimin e qytetit dhe të fshatit, zhvillimin ekonomik, të infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të Elbasanit”, theksoi kryebashkiaku Llatja.
Ai deklaroi se projekti për “Elbasanin 2030” garanton përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së jetesës së qytetarëve. “Krijimi i Parkut teknologjik SMART CITY në Labinot Fushë do të synojë rritjen e kapaciteteve teknologjike me fokus primar rininë. Do të ndërtojmë një tjetër Qendër Rinore. Do të shtojmë dhe përmirësojmë kushtet e bibliotekave në disa nga njësitë më të mëdha administrative.
Bashkë me “Qytetin e Fëmijëve” do të krijojmë një tjetër hapësirë rekreative për teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive digjitale për fëmijët dhe të rinjtë do të jetë “Innovation Center Elbasan”.
Do të vazhdojmë ti kushtojmë vëmendje maksimale infrastrukturës rrugore duke e trajtuar njësoj si fshatin edhe qytetin. Gjithashtu, rivitalizim urban të zonave informale në përputhje me standardet më të mira. Rivitalizim urban i qendrës së Treganit duke i dhënë prioritet e mundësi zhvillimi turizmit kurativ. Do të ndërhyjmë në rugën që lidh Elbasanin me Funarin ashtu sikurse rrugën e zonës turistike të Gjinarit”, ishin vetëm disa nga projektet e prezantuara nga kryebashkiaku Llatja.
Ndersa numri dy i socialistëve u shpreh se Elbasani 2030, nuk është thjesht një numër, por një vizion për zhvillimin e qytetit.
“Elbasani 2030. Nuk është thjesht një numër, është një vizion dhe këtu sot u paraqit një vizion i asaj çfarë do të thotë të ecim përpara. Elbasani duhet të ecë vetëm përpara. Të gjitha këto që u thanë këtu nuk janë fjalë, janë punë, punë të bëra dhe punë që do të bëhen. Ne nuk i besojmë fjalëve, ne i besojmë punëve. Dhe Partia Socialiste është partia e punëve, ne flasim pak dhe punojmë shumë. Mbase jemi të butë nga zëri, nuk çirremi, por forca jonë qëndron tek puna, forca jonë qëndron tek njerëzit. Prandaj jemi të gjithë bashkë ne këtë ekip të mrekullueshëm, me Gledisin si kryetar Bashkie, dhe me ekipin e këshilltarëve politikë, sepse jemi ekip, jemi gjithë bashkë”, tha ai.
Gjiknuri nënvizoi se alternativa përballë jo vetëm që nuk ka ekip, por ka treguar se e do bashkinë e Elbasanit për ta kthyer në një bunker politik. Ai deklaroi se qytetarët e Elbasanit e kanë të qartë zgjedhjen e tyre, duke parë përpara dhe kurrë pas.