Llatja përgëzon nismën e gjimnazistëve për rehabilitim e lulishtes: Do të mbështesim iniciativa për sa më shumë sipërfaqe të gjelbërta

 Nismës së nxënesve të shkollës “Nikola Koperniku” të cilët kanë marrë përsipër të rehabilitojnë një sipërfaqe lulishtjeje në një prej hyrjeve të qytetit, i është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë Gledian Llatja. Duke pasur një prioritet të veçantë gjelbërimin, si dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytet, kryebashkiaku i Elbasanit ka vlerësuar këtë nismë, ndërsa ka pohuar se “e përgëzojmë këtë nismë të shkollës pasi ka krijuar klubin e vet për një sipërfaqe të gjelbërimit të shkollës, por edhe për sipërfaqet tona publike. Klubet e gjelbërta ne i kemi pasur edhe si inisiativë të shkollave komunitare, sot po e përhapim në të gjithë gjimnazet e Elbasanit, ku një falenderim shkon edhe për drejtuesit e shkollës për këtë sipërmarrje në bashkëpunim me Bashkinë si dhe për të gjithë këmbënguljen që kanë për shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta jo vetëm në qytet por edhe në periferi”.

Në të gjithë sipërfaqen po kryhet një ndërhyrje radikale ku po shtohen pemë dhe  sipërfaqe të gjelbra. Sipas kreut të Bashkisë “tashmë Elbasani po ecën me një fazë tjetër, ne jemi tek misioni i BE tek 100 qytetet klimatike ndaj duhet ti përshtatemi kohës. Sot ka ardhur momenti që ti kushtojmë vëmendje maksimale tokës, ambjenteve të gjelbërta, pasi këto janë trashëgimia kryesore që ne do të lëmë në të ardhmen. Në bashkinë e Elbasanit po nisim një aksion të madh po i rikthehemi projektit “Muri i Gjelbër”, duke shtuar sipërfaqe të gjelbër edhe në zonën industriale aty ku janë edhe problematikat më të mëdhaja tona mjedisore, por edhe në çdo sipërfaqe të Elbasanit”.

Ky është projekti i parë i gjimnazit “Nikolla Koperniku”, i cili vjen si projekt i parë i kësaj shkolle ku kjo sipërfaqe do të pagëzohet nga vetë ato si “lulishtja e Kopernikasve”, projekt i cili u mundësua me mbështetjen e veçantë të kryetarit të Bashkisë.