Llatja dhe Spaho me banorët e lagjes “Skëndërbej”: Punë të mira na presin

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe deputeti Florenc Spaho u takuan me banorë të lagjes “Skëndërbej”. Ata u ndalën në rrugën “Bajram Curri” ku disa ditë më parë përfundoi sistemimi i kanalizimeve të ujërave të zeza, projekt i cili parashikon në vijimësi shtrimin e rrugës dhe ndriçimin.

Kryetari i bashkisë tha se investimet po kryhen me standarde duke respektuar edhe kërkesat e banorëve të cilët kanë përcaktuar përparësitë e tyre gjatë procesit të “Buxhetimit me Pjesëmarrje”:

“Më shumë kemi punë për të bërë se sa kemi bërë, kjo është e vërtetë. Sot po flasim për standarde, po flasim për kanalizime të ujrave të zeza të përfunduara. Ishte një kërkesë e kahershme edhe e juaja si banorë, por kryesisht edhe e zonjave që kujdesen për një ambient të pastër.

E rëndësishme është që ne po i bëjmë të gjitha. Po rehabilitojmë të gjitha ato rrugë ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh.

Shumë faleminderit dhe ju që keni besimin se ne do të vazhdojmë të bëjmë punë të mira edhe në të ardhmen.”

Si një nga lagjet më të mëdha informale të Elbasanit, lagja “Skëndërbej” ka pasur nevojë për ndërhyrje të shumta, por investimi i kryesor i aksit “Iljaz Kosova” u bë konform të gjitha standardeve duke u ardhur në ndihmë jo vetëm banorëve, por edhe dhjetëra bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në atë zonë. Tashmë, sipas kryetarit të bashkisë, është radha e investimeve në degëzimet lidhëse.