Inspektimet e punimeve që ka kryer Bashkia vijojnë, pasi të gjitha kanë si qëllim shërbimin sa më cilësor e zhvillimin ekonomik të qytetit të Elbasanit. Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, kanë zhvilluar takime me tregtarë të biznesit të vogël si edhe me ata të markatës në qytet. Nga ana e tij kryebashkiaku Llatja vlerësoi punën e tyre si edhe kalimin me sukses të periudhës së pandemisë edhe në Elbasan, ku biznesi i vogël thuajse nuk u prek.
“Gjatë periudhës së pandemisë ne si Bashki e mbështetëm biznesin në Elbasan, kryesisht biznesin e vogël duke zeruar taksat, mbështetje të cilën po vijojmë ta bëjmë edhe sot me krizën botërore”, tha Llatja. Duke u ndalur edhe tek projektet që ka Bashkia, ai premtoi tregtarët se “shumë shpejt ne kemi projektin edhe për rikonstruksionin e Markatës Qëndrore të Elbasanit”.
Ky premtim duket se është pritur mjaft mirë nga tregtarët. Nga ana e tij drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri edhe një herë e vuri theksin tek punët qe ka bërë dhe po bëhen nga bashkia e Elbasanit, ai garantoi biznesin se qeveria shqiptare do vijojë politikat mbështetëse dhe lehtësirat fiskale për biznesin e vogël që sipas tij “gjë që u reflektua edhe në buxhetin e vitit 2023, ku miratuam: zero taksë dhe zero TVSH për këtë kategori si edhe kompensim të faturës së energjisë elektrike teksa çmimi ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme në të gjithë Europën si pasojë e agresionit rus në Ukrainë”.