Llatja: Bashkia e Elbasanit, angazhim për transparencë ndaj qytetarëve

Evidentimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, siç është e drejta për informim, si dhe për të ofruar shërbimin, siç është transparenca e autoriteteve publike ishin në qendër të një takimi të zhvilluar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe institucionet e qarkut të Elbasanit.

Në këtë takim, të organizuar në kuadër të projektit “Ditët e transparencës”, komisioneri Besnik Dervishi falënderoi kryetarin e bashkisë, Gledian Llatja, prefekten e qarkut si dhe të pranishmit duke pohuar se “Elbasani është një nga qarqet me bagazh intelektual dhe kulturor” .

Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë Llatja, tha se “praktikat më të mira të qeverisjes vendore e konsiderojnë transparencën si moment historik të qeverisjes së mirë dhe komuniteteve të forta. Transparenca e institucioneve vendore lufton korrupsionin, rrit besimin e qytetarëve dhe forcon integritetin e institucioneve publike”.

Sipas kryebashkiakut, ky proces u mundëson qytetarëve të vlerësojnë objektivisht cilësinë, përshtatshmërinë dhe efikasitetin e shërbimeve publike, duke propozuar ndryshime për përmirësimin e shërbimeve të ofruara.

Transparenca e institucioneve vendore është një parakusht për një qeverisje të hapur dhe demokratike. Nga ana tjetër, qeverisja e hapur është më shumë e kontrollueshme nga qytetarët, pasi qasja në informacione publike u mundëson qytetarëve të jenë më shumë informuar për aktivitetin e bashkisë.

“Aksesi në informacionin publik është një e drejtë themelore e njeriut dhe a hapi i parë drejt demokracisë pjesëmarrëse lokale. Nëpërmjet Programit të Transparencës, bashkia Elbasan vendos në dispozicion të qytetarëve një kategori të gjerë informacionesh, mënyrat dhe afatet e publikimit të tyre si dhe procedurat për të aksesuar e përdorur ato”, theksoi Llatja.

Për garantimin e të drejtës së informimit, bashkia në hartimin e Programit të Transparencës është bazuar në parimin e vendosjes në dispozicion të çdo qytetari, të gjithë informacionit të prodhuar nga veprimtaria e bashkisë.

Monitorimi i transparencës dhe llogaridhënies lokale nga shoqëria civile ka, gjithashtu, një rëndësi të veçantë në nxitjen dhe promovimin e angazhimit qytetar në proceset vendimmarrëse. Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje është parësore për forcimin e demokracisë lokale dhe minimizimin e praktikave korruptive.

Bashkia e Elbasanit synon ofrimin e qeverisjes së mirë duke inkurajuar akses dhe pjesëmarrje të publikut për të garantuar që vendimmarrja të përgjigjet ndaj nevojave të përbërësve të tij dhe të pranojë opinionet e tyre, të ofrojë shërbime me cilësi të lartë për qytetarët e saj dhe promovuar përdorimin efikas të burimeve publike.