Llatja: Bashkia do të mbështesë aplikuesit e Bonusit të Rijetësimit me qëllim hapjen e biznesve të reja

Për të dytin vit radhazi Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen e Bonusit të Rijetësimit, skemë mbështetëse të kujtdo që do të restaurojë dhe rijetësojë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike.  Këtë vit buxheti për Bonusin e Rijetësimit është 50% më i madh se një vit më parë.  Në njoftimin e dhënë nga ministrja Elva Margariti, bëhet e ditur se në këtë skemë mbështetëse të interesuarit të cilët kërkojnë të aplikojnë për të përfituar mbështetje fimanciare, nuk përfshihen vetëm monumentet e kulturës, por edhe objekte në qendra historike, ansamble e lagje brenda mureve të kalave, për të unifikuar dhe rikualifikuar këto hapësira urbane.

Duke qenë se qyteti i Elbasanit, ka fatin e madh që të rrethohet nga shumë zona turistike dhe historike, mes tyre edhe Kalaja në qendër të qytetit, kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja, ka ftuar të gjithë qytetarët e Elbasanit, mes tyre edhe të rinjtë që të bëhen pjesë e kësaj skeme, që sipas tij “Elbasani ka shumë porenciale që vetë ne duhet t’i shfrytëzojmë, për të mirën ekonomike, por edhe për rininë e qytetit. Tashmë është hapur Bonusi i Rijetësimit në lagjen “Kala”, ku  çdo person që ka një banesë në Kala mund ta marrë me qera afatgjatë, aplikon dhe nëse plotëson dokumentacionet përkatëse do t’i mundësohet një shumë prej 50 milion lekë të vjetra grant, për të rikonstruktuar dhe të hapë një biznes në zonën e kalasë. Mjafton që ta kthesh shtëpinë që ke pasur në identitet sipas kategorisë që kanë Monumentet e Kulturës, dhe më pas Bashkia i mbështet për të hapur biznese të reja. Kjo është një gjë e mirë, që ta shohim të ardhmen këtu, duke rritur zhvillimin ekonomik”.

Afati i aplikmimit është nga data 30 janar deri në 30 mars, përpos ruajtjes dhe evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore  të objektit apo kompleksit ku ai bën pjesë, edhe këtë vit do të përkrahen ato projekte me ndikim në zhvillimin ekonomiko-social të komunitetit të zonës; do të përkrahen të rinjë, gratë e vajzat, individët me aftësi ndryshe dhe emigrantët që zgjedhin të investojnë në vendin e tyre.