Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe deputetja e PS Desantila Tahiraj zhvilluan një bashkëbisedim me banorë të fshatit Thanë ku u vu theksi mbi pritshmëritë e kësaj zone nga Z. Llatja në 4 vitet e tij të ardhshme në krye të bashkisë së Elbasanit.
Llatja përmendi investimet dhe punët e mandatit të tij të parë në fshatin Thanë, ndërsa theksoi se 4 vitet e shkuara është investuar më shumë në fshat sesa në qytet, pikërisht për problematikat që ka fshati.
“Keni parasysh një gjë, nuk ka asnjëri shkop magjik që t’i bëjë gjërat të gjitha përnjëherë. Ama kam bërë një gjë këtë vit dhe këtë mandat, një gjë kam bërë dhe e bëj me shumë dashamirësi, që investoj në fshat më shumë se në qytet. Ne do ta mbarojmë rrugën e Kodër Bujarasit, ne do ta mbarojmë rrugën e Thanës, do mbarojmë rrugët e Gjergjanit, do bëjmë rrugën poshtë në Murriqan, ne do t’i bëjmë të gjitha rrugët që kanë problematika të theksuara infrastrukturore. Ne jemi ata njerëz që i themi PO zhvillimit, ne duam të ecim përpara me projekte, duam të vazhdojmë punët.
Punët ne i kemi bërë ne fshat, kush i ka bërë punët në fshat? Ne i kemi bërë! Të ishte për ata të tjerët, keni dëgjuar ndonjëherë të kenë bërë punë në fshat? Zero! Po ata njerëz janë, po ata që nuk e kanë dashur ndonjëherë Elbasanin, nuk e duan Elbasanin, nuk e kanë dashur ndonjëherë popullin e Elbasanit, edhe nuk kanë bërë një herë gjë për popullin e Elbasanit. Elbasani është i elbasanllinjve” tha Llatja.
Llatja kërkoi mbështetjen e banorëve të Thanës për këshilltarët bashkiakë të cilët do të jenë zëri i qytetarëve në parlamentin e qytetit.
“Sot kam ardhur të kërkoj mbështetjen tuaj. Kemi katër vite që kemi qëndruar bashkë, siç ju kemi qëndruar pranë këto katër vite, do ju qëndroj edhe katër vite të tjera. Sot na duhet mbështetja, më duhet mua mbështetja, i duhet PS, për anëtarët e Këshillit Bashkiak të jemi të gjithë bashkë, të vazhdojmë të bëjmë punë të mira, të vazhdojmë të bëjmë këto investime që kemi nisur. Investimet e mëdha, Auto Moto Parkun, shëtitoren buzë lumit Shkumbin, të vazhdojmë By – pass-in të vazhdojmë Koridorin 8 -të, të vazhdojmë me rrugët e tona të fshatit, të vazhdojmë me kanalet kulluese, vaditëse, me ndriçimin që kemi nevojë në fshat. Ne do ecim dhe do të punojmë. Ne i kemi bërë punët deri tani, dhe ne do t’i bëjmë në vazhdimësi. Shumë faleminderit për mbështetjen, më keni pasur dhe do të më keni krah të djathtë në çdo problem që keni dhe në zgjidhjen e të gjithë problematikave që keni jo vetëm infrastrukturore, por edhe hallet dhe problemet që kemi pasur gjatë të gjithë kohës, edhe personale” theksoi Llatja.
Si deputete e zonës, Desantila Tahiraj falenderoi Gledian Llaten për vëmendjen që i ka dhënë fshatit duke mos lënë pas dore për asnjë moment zhvillimin e zonave rurale.
“Gledi në këtë fushatë nuk është vetëm, në këtë fushatë Gledi është në ekip, ne jemi ekip shumë i madh, ekipi i PS i drejtuar nga Edi Rama dhe me të gjithë ju, ju jeni pjesë e fushatës së Gledit. Ju jeni personat që keni qëndruar pranë gjithmonë, ju jeni personat që keni kërkuar për fshatin, për rrugicat ku jetoni, për lagjet ku banoni, për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndriçimit në çdo fshat, për përmirësimin e rrugëve që ju çojnë tek arat ku ju shkoni, ku keni të përditshmen tuaj. Gjej rastin dhe në emrin tuaj ta falenderoj për çfarë ka bërë ai për zonat e fshatit” tha Tahiraj.