Klevis Xhoxhi do të jetë Prefekti i ri i Elbasanit dhe këtë javë do të zëvendësojë Maksim Malajn, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë i Kryeministrit Edi Rama. Gjeneral Major Maksim Malaj mbajti këtë post për disa muaj me Vendim të Këshillit të Ministrave. Malaj ishte rikthyer në postin e Perfektit të Qarkut të Elbasanit për herë të dytë gjatë Qeverisë Rama 2. Pasuesi i tij, Klevis Xhoxhi, është një nga eksponentët e njohur të PS në Elbasan.
Klevis Xhoxhi u ka dërguar edhe një mesazh punonjësve të Kadastrës sot.
”E nisa ditën me një tërheqje vëmendje për sektorin e sportel kadastrës, tani me lejoni t’u jap një lajm tjetër qe duke filluar nga nesër unë nuk do mbaj me pozicionin e drejtorit te kadastrës pasi qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama me ka besuar postin e Prefektit te Qarkut Elbasan. Dua t’u falenderoj te gjithëve perzermesisht për punën e bere bashkërisht ne gjithë këto muaj ne kadastër sfidat, vështirësitë por dhe sadisfaksionet qe kemi kaluar te gjithë bashke. Ju uroj te gjithëve pune te mbare ne vazhdim.”
Kush është Klevis Xhoxhi?
Klevis Xhoxhi ka lindur në Elbasan, në nëntor të vitit 1978. Ka mbaruar studimet për degën Juridik. Në vitin 2010 certifikohet për pjesëmarrje të sukesshme për “International Summerschool Albania – Driving Sustainable Development Towards the EU Challenges.”
Më pas, në vitin 2011 specializohet në Master të nivelit të dytë në Shkenca Politike, profili Administrim Publik.
Klevis Xhoxhi ka një karrierë të larmishme, duke filluar nga viti 2003-2006 si jurist pranë Zyrës Juridike të Institucionit të Prefektit të Qarkut Elbasan. 2006-2007 ka qenë Drejtor Rajonal i Agjensisë së Sigurimit të Automjeteve. Në vitin 2007-2008 ka pasur funksionin e Drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun, Bashkia Elbasan.
Në vitin 2008-2015 pozicionohet si Drejtor i Qendrës Ekonomike të Arsimit Elbasan. Klevis Xhoxhi, nga 2015 në vazhdim, merr përgjegjësinë e pozicionit zv/Kryetar Bashkie Elbasan.