Tregtarët romë të produkteve të përdorura në Elbasan u ngritën në protestë para institucionit të bashkisë pasi kjo e fundit ndërmori aksionin për lërimin e hapësirave publike. Nga ky aksion janë prekur rreth 80 tragtarë të cilët prej gati 30 vitesh shesin në rrugë për të siguruar mbijetesën. Sipas tyre ambienti i ri që ka vendosur bashkia t’i transferojë është i papërshtatshëm pasi është një mjedis i izoluar dhe nuk ofron asnjë kusht higjeno- sanitar.
‘U vendos të gjejmë një vend, të shohim çfarë do të bëjmë! Nuk është zgjidhje të shesim në rrugë, atje ku na kanë çuar nuk vjen njeri.’- u shpreh një prej tyre.
Sapo mbërriti në punë kryebashkiaku Gledian Llatja u përball me tregtarët. Teksa ftoi një përfaqësi të tyre për të biseduar pohoi se aksioni vjen në kuadër të rikthimit të hapësirave publike qytetarëve. Sipas tij tregtarët ishin vënë në dijeni për aksionin.
‘Ju e dinit që do të lëviznit! Nuk mund të rrini aty në rrugë, dhe unë kam dy vite që u kam thënë hajde të bëjmë një treg, toka u gjet atje!’- tha Llatja.
Pas takimit me një përfaqësi tregtarësh kryebashkiaku u premtoi dy hapësira për ti përshtatur në treg. Ky vendim shkaktoi reagime të ndryshme nga protestuesit.
Të pakënaqurit pas takimit me kryebashkiakun u rikthyen sërish para dyerve të bashkisë edhe diten e sotme. Nga ana tjetër bashkia Elbasan është e vendosur ti japë fund tregtisë në rrugë e cila jo vetëm ofron një imazh negativ për qytetin, por edhe bëhet burim aksidenti në rrugë.